Duke shfletuar kalendarin e 20 nëntorit, Kisha katolike përkujtoi Shën Oktavin.
(20.11.2006 RV)Pak gjëra të sigurta dimë për Shenjtin që përkujtohet sot. Falë
shkrimeve të ipeshkvit të parë të Torinos, Shën Maksimit, dihet me siguri vetëm se
Shën Oktavi, së bashku me Shën Solutorin e Shën Aventorin jetuan dhe u martirizuan
rreth shekullit III. Gojëdhënat e mëvonshme i paraqesin si ushtarë të legjionit mitik
të Tebesë dhe tregojnë se Oktavi e Aventori u mbytën në Valdoko të Torinos, ndërsa
Solutori ia doli mbanesh të ikte në Kanaveze. Por aty u kap rishtas e iu pre koka
në brigjet e lumit Dora Baltea. Martiriologu Romak, kalendar zyrtar i Kishës
universale, i përkujton me 20 nëntor, në përvjetorin e vdekjes, ndërsa dioqeza e Torinos
ua kremton festën më 20 janar, ditën kur trupat e tyre u mbartën në Kishën e tre
Shenjtorëve martirë. Në Kodikët e komunës së Torinos gjejmë një ikonografi të
pasur kushtuar Shën Oktavit, Shën Solutorit e Shën Aventorit, pajtorë të lashtë të
qytetit, të cilët paraqiten me simbolet e martirëve e të ushtarëve tebei.