2006-11-18 15:57:29

Lajme nga Kisha në botë:


(19.11.2006 RV)RealAudioMP3 Përfundoi sot Festivali V i muzikës dhe i artit kishtar në bazilikat patriarkale të Romës, që nisi të mërkurën e kaluar. U organizua nga Fondacioni ‘Pro musica sacra’ me rastin e 500-vjetorit të vënies së gurit të parë të Bazilikës së Vatikanit. Ndërmjet grupeve pjesëmarrëse, kujtojmë Korin e Akademisë filarmonike romake dhe Viner Filarmoniker, e cila për herë të tretë në historinë e vet, shoqëroi sot kremtimin e Eukaristisë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan me Meshën e Kurorëzimit në do maggiore K. 317 të Volfgang Amadeo Mozart.
Pas përfundimit të Meshës besimtarët e shumtë që kishin mbushur përplot bazilikën, ndoqën lutjen e Engjëllit të Tënzot në Shehin e Shën Pjetrit.
 
Ditë historike 14 nëntori në rrugën ekumenike: për herë të parë u mblodhën së bashku në Lids ipeshkvijtë katolikë të Anglisë e të Galesit me ipeshkvijtë anglikanë.
Përkujtuan 40-vjetorin e vizitës së kryeipeshkvit të atëhershën të Këntërbërit Majkëll Ramsei, që u prit në audiencë nga Pali VI. Kjo vizitë në Vatikan, menjëherë pas Koncilit II të Vatikanit – që shënonte një etapë historike në dialogun ekumenik, do ngjallte shpresa të mëdha për bashkimin e plotë të gjithë të krishterëve e do të sillte, në vitet që do të vinin, fryte pajtimi doktrinor e baritor. Takimi në Lids të Anglisë do të pasohet nga vizita e Primatit anglikan, Uiljams, më 23 nëntorin e ardhshëm në Vatikan, ku do të takohet me Benediktin XVI.

Kryeipeshkvi anglikan i Jorkut, Xhon Sentamu, denoncon mungesën e skenave të lidhura me Lindjen e Krishtit në pullat e emetuara nga postat britanike për Krishtlindje. Sipas prelatit, kemi të bëjmë me një konfirmim të ri të përpjekjeve për ta thelluar zbehjen e kristianizmit në zemrat e njerëzve. Ipeshkvi njofton edhe se shumë përfaqësues të qeverisë, me rastin e Krishtlindjes, nuk shkëmbejnë më kartolina me urimin “Për shumë vjet Këshndellat”. Këtë urim tradicional të krishterë e kanë zevendësuar me ‘Urime për festat’. E një përpjekje e tillë për ta zbehur ndikimin e krishterë është vërejtur edhe në raste të tjera. Është hequr - për shembull – sqaron ipeshkvi – kryqi nga një kremator i Plimuthit si dhe një vend parkimi makinash falas, për besimtarët që ndjekin Meshën shenjte të dielave.

“Shën Agostini njeri i dialogut e urë që lidh kulturat e ndryshme”: ky është mesazhi i shtegtimit të Pishtarit, që u ndez më 23 tetor në Algjeri, ku lindi Shenjti dhe arriti më 12 nëntor në Pavi të Italisë. Pishtari, simbol i takimit ndërmjet qytetërimeve, njihet edhe si vravashka e dialogut. Në vitin kur Urdhëri Agostinian kremton 750-vjetorin e themelimit, Pishtari i Shën Agostinit rrezaton dritë kudo që ka grindje e konflikte, me shpresë që njerëzit ta kuptojnë se dialogu është guri i themelit për ndërtimin e paqes.

“Kemi ardhur për të të adhuruar, Jezus!”. Kjo është lutja e përsëritur nga disa dhjetra-mijëra njerëz, që morën pjesë këto ditë në procesionin eukaristik, kremtuar në Shillong, në Indinë lindore.
Në procesion morën pjesë 60 mijë katolikë, që e ndoqën të Shenjtnueshmin Sakrament vendosur mbi një qerre të zbukuruar me lule, ndërsa mijëra të tjerë e përshëndetën anës rrugëve kalimin e Eukaristisë. Ngjarja tepër prekëse, u transmetua edhe nga televizioni vendas. Kjo dëshmi shprese, që u dha Zoti i ngjallur besimtarëve, është shenjë positive. Tregon se jeta e njerëzve mund të ndryshojë në se venë në themel të saj dashurinë e faljen, duke pasur gjithnjë parasysh fjalët e Krishtit në kryq: “Fali, o Atë, se nuk e dinë çfarë bëjnë!”.
 
Në Havier të Spanjës të enjten e kaluar përfundoi takimi “Françesk Saveri. Rikthim, takim, mision e impenjim për një jetë të denjë e për drejtësi”. Organizatore ishte provinca jezuite e Lojolës në bashkëpunim me disa organizata të tjera të Shoqërisë së Jezuitëve. Gjatë takimit folën shumë jezuitë e laikë të impenjuar në veprimtari të asistencës për të sëmurët me Sidë, për njerëzit e braktisur, për fëmijët viktima të dhunës e sidomos, për emigrantët.
 
Në mbledhjen plenare të ipeshkvijve indonezianë, që u mbajt gjatë kësaj jave, u vu theksi mbi temat e ekonomisë dhe të drejtësisë shoqërore. U fol edhe për problemet ndërkombëtare të globalizimit e të varfërisë, lidhur ngusht me realitetin e Indonezisë.
Në letrën baritore, publikuar në përfundim të takimit, theksohet se Kisha është e thirrur të marrë mbi vete përgjegjësinë që i takon në gjirin e shoqërisë, të tregojë udhën në të cilën duhet ecur e të punojë gjithnjë e me të gjitha forcat për të mirën e përbashkët.

Në Çad, e posaçërisht në kryedioqezën e N’Djamenës, mësimi mbi Islamin bën pjesë në programin e formimit të katekistëve katolikë . E kjo, sepse më shumë se gjysma e banorëve të vendit janë myslimanë e sepse nuk mungojnë kthimet e të krishterëve në Islam, shoqëruar edhe me tensione, si ato të vitit 1979, që shkaktuan mijëra viktima.

“Do të jeni dëshmitarët e mi deri në skajet më të largta të tokës, për ta çuar kudo fjalën time e për t’i mbledhur bijtë e Zotit kudo që janë”- kjo është tema e Kongresit misionar të Afrikës Lindore, që përfundoi sot në Burkina Faso.
Në mesazhin drejtuar Kongresit nga kardinali Ivan Dias, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve theksohet: “Detyra më e rëndësishme për kryerjen me sukses të veprimtarisë misionare, është formimi i personelit apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.