2006-11-17 16:38:51

“Ekumenizmi i dashurisë që ndriçon dialogun e së vërtetës”, në qëndër të vëmendjes së Benediktit XVI në plenaren e Këshillit për bashkimin e të krishterëve.


(17.11.2006 RV) Dyzet vjet pas Koncilit II të Vatikanit, dialogu ekumenik ka bërë shumë hapa përpara në nivelin teologjik e shpirtëror. Ndonëse mbetet ende shumë për të bërë, çka duhet promovuar sot ndërmjet konfesioneve të ndryshme të krishtera, është ekumenizmi i dashurisë, që duhet të çojë në një ballafaqim të bazuar mbi të vërtetën e fesë. Ky është edhe njeri nga konceptet qëndrore të fjalimit që i drejtoi sot paradite Benedikti XVI mbledhjes plenare të Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve, që diskutoi rreth temës “Situata ekumenike në ndryshim”.
Që dialogu i të krishterëve të zhvillohet mbi bazën e së vërtetës, ballafaqimi ka nevojë për një element të pazevendësueshëm: dashurinë. E dyta ndriçon të parin: krijon mirëkuptim, përforcon besimin në vlerat e përbashkëta, shmang rrezikun e një paqeje sipëfaqësore, të arritur me çdo kusht, që e falsifikon frymën ekumenike, në vend që ta bëjë sa më të vërtetë. Vlerësimi i Benediktit XVI për gjendjen aktuale të ekumenizmit ishte realist, me të gjitha dritë-hijet e veta:
“Në të vërtetë, që nga Koncili II i Vatikanit e deri më sot janë bërë shumë hapa përpara drejt bashkimit të plotë. Kam parasysh pamjen e sallës së Koncilit, ku vëzhguesit delegatë të Kishave e të bashkësive të tjera kishtare ishin të vëmendshëm, por të heshtur. Kjo pamje në dhjetvjeçarët e mëpasëm u zevendësua me realitein e një Kishe në dialog me të gjitha Kishat dhe bashkësitë kishtare të Lindjes e të Perëndimit. Heshtja u shndërrua në fjalë bashkimi. Vëllazërimi ndërmjet gjithë të krishterëve u rizbulua dhe u rindërtua, si kusht i dialogut, i bashkëpunimit, i lutjes së përbashkët, i solidaritetit.”.
Përballë pjesëmarrësve në mbledhjen plenare, Benedikti XVI përsëriti një nga deklaratat më simbolike të fillimit të papnisë së Tij: arritjen e bashkimit të dukshëm të Kishës. Natyrisht kjo është një rrugë e gjatë në të cilën – siç nënvizoi Papa – mbetet akoma shumë për t’u bërë, në mënyrë të veçantë në një botë e cila, me ndryshimt e veta të rrufeshme, e kushtëzon në një farë mënyre edhe dialogun ekumenik. Kishat e Lindjes – tha Papa:
“… rifituan lirinë dhe po impenjohen në procesin e riorganizmit e të rigjallërimit. Jemi pranë tyre me ndjenjat e me lutjen tonë. Pjesa lindore dhe ajo perëndimore e Evropës po afrohen; kjo i nxit Kishat t’i koordinojnë përpjekjet e tyre për ta mbrojtur traditën e krishterë dhe për t’ia kumtuar Ungjillin breznive të reja”.
Benedikti XVI e vlerësoi lart hovin e ri të dialogut teologjik ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, që rifilloi në Serbi, pas një ndërprerjeje të gjatë. Edhe vizita që do t’i bëj së shpejti Shenjtërisë së Tij, Bartolomeut I dhe Patriarkanës Ekumenike – tha Papa, duke pasur parasysh shtegtimin e tij të afërt në Turqi – do të jetë shenjë nderimi për Kishat ortodokse e, njëkohësisht, edhe nxitje për rindërtimin e bashkimit të plotë. Miqësore i quajti Benedikti XVI edhe marrëdhëniet me krahun perëndimor e pikërisht me Kishën luterane e metodiste, duke kujtuar se me të parët u arrit marrëveshja historike e 1999-tës që lidhet me “Deklaratën e përbashkët mbi doktrinën e shfajsimit”, e cila u miratua edhe nga metodistët. Gjithsesi, sqaroi Papa:
“Mbetet sidomos vështirësia për të gjetur një koncept të përbashkët për lidhjen ndërmjet Ungjillit e Kishës, për misterin e Kishës e të bashkimit të saj si dhe për çështjen e ministerit në Kishë. Vështirësi të reja, pastaj janë vërejtur në fushën etike. Qëndrimet e ndryshme të konfesioneve të krishtera lidhur me problematikat aktuale, patën si pasojë kufizimin e ndikimit orientues mbi opinionin publik”.
Kështu u shpreh Benedikti XVI i cili në përfundim theksoi atë, që e konsideron të domosdoshme për ecjen në rrugën ekumenike:“Mbi të gjitha duhet promovuar ekumenizmi i dashurisë, i cili buron drejtpëdrejtë nga urdhërimi i ri që u dha Jezusi nxënësve të vet. Dashuria, e shoqëruar nga gjeste koherente, krijon besim, hap zemrat e sytë. Dialogu i dashurisë, për vetë natyrën e tij, promovon dhe ndriçon dialogun e së vërtetës: e pikërisht në të vërtetën e plotë do të arrihet takimi përfundimtar drejt të cilit na prin Shpirti i Krishtit. Nuk janë, sigurisht, relativizmi ose irenizmi që e zgjidhin problemin ekumenik. Përkundrazi, e shtrembërojnë dhe e çorientojnë atë. Pastaj duhet thelluar edhe formimi ekumenik duke u nisur nga themelet e fesë së krishterë, dmth nga kumtimi i dashurisë së Zotit, që u zbulua në fytyrën e Jezu Krishtit e njëkohësisht, në Krishtin ia zbuloi njeriut njeriun dhe e bëri ta kuptojnë thirrjen e tij tejet të lartë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.