2006-11-17 16:41:34

Papa takohet me kryetarët e dikastereve të Kuries Romake për çështjen e imzot Milingos: ripohohet vlera e zgjedhjes së çelibatit meshtarak.


(17.11.2006 RV) Dje Benedikti XVI kryesoi në Vatikan mbledhjen e kryetarëve të dikastereve të Kuries Romake për një reflektim të përbashkët. Pjesëmarrësit në takim – shpjegon një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – u njoftuan hollësisht mbi kërkesat e heqjes së detyrimit të çelibatit dhe të ripranimit në misionin meshtarak, paraqitur nga meshtarët e martuar gjatë viteve të fundit. U ripohua – vijon Nota – vlera e zgjedhjes së çelibatit meshtarak sipas traditës katolike dhe kërkesa për formimin e shëndoshë njerëzor e të krishterë si për seminaristët, ashtu edhe për meshtarët e shuguruar.
Në një Komunikatë të publikuar të martën e kaluar, Salla vatikanase e Shtypit saktësonte se takimi qe thirrur për të shqyrtuar çështjen e imzot Milingos, kryeipeshkëv nderi i Lusakës, i shkishëruar “latae sententiae”, dmth i përjashtuar menjëherë nga radhët e bashkimit kishtar, sepse shuguroi ipeshkvij 4 meshtarë, pa mandatin e nevojshëm papnor. Natyrisht shugurimi, i kremtuar më 24 shtatorin e kaluar në Uashington, u shpall menjëherë i pavlefshëm.
Por për vlerën e zgjedhjes së çelibatit, të dëgjojmë ipeshkvin e Kieti-Vastos, imzot Bruno Forte, në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Çelibati konceptohet në tre drejtime kryesore. Drejtimi i parë është ai kristologjik: Jezusi nuk ishte i martuar, për t’iu kushtuar kështu plotësisht kauzës së Mbretërisë së Hyjit. Prandaj mund të themi se meshtari është i thirrur të jetë, siç edhe është teologjikisht – njeri që përfaqëson Krishtin-Kryetar; e përfaqëson, prandaj, edhe në zgjedhjen e rrugës së përkushtimit të plotë të gjithë vetvetes për kauzën e Mbretërisë së Hyjit.
Drejtimi i dytë është ai ekleziologjik, dmth se duke qenë i pamartuar, meshtari ka mundësi t’i kushtohet plotësisht Kishës-Nuse, e cila e bën baba të bashkësisë, gjë që na kujton Kishën e lashtë që konsiderohet nënë e gjithë besimtarëve. Drejtimi i tretë është ai eskatologjik: çelibati është parashijim i kalimit në Mbretërinë e Qiellit, ku njeriu nuk do të jetë as burrë, as grua, por të gjithë do të jemi një në Jezu Krishtin. Kjo do të thotë edhe të jesh dëshmitar i ardhmërisë së së Zotit, dmth dëshmitar i shpresës.







All the contents on this site are copyrighted ©.