Kalendari Kishtar i 17 nëntorit përkujton Shën Elizabetën e Hungarisë.
(17.11.2006 RV) Elizabeta qe një ndër figurat më poetike e më në shenjë të
shekullit XIII, jo për salltanet e famë, por për bukurí të mbinatyrshme virtytesh
e shenjtëri jete. Ishte një ndër poemat e Artistit të Madh, Zotit të Kryqëzuar. E
bija e Andreut II, mbretit të Hungarisë, krejt e ré u fejua për Ludovikun IV, princin
e Turingisë në Gjermaní, në oborr të cilit edhe u rrit e u edukua. Katërmbëdhjetë
vjeçe u martua e, një vit më pas, pati fëmijën e parë. Pozita e saj si princeshë,
si bashkëshorte e si nënë, nuk e pengoi asnjëherë të kryente vepra të mira dashurie
për të varfër, për të sëmurë, për pleq e për të lënë mbas dore. Pas tyre e për ta
shpenzoi të gjitha pasuritë e veta. Për ta, e sidomos për të gërbulur, s’e kursei
shërbimin. Njëzet vjeçe mbeti e vejë, shtatzënë me të tretin fëmijë. Fillë mbas, u
dëbua nga oborri i principatës. Vuajti salvime, varfërí, përbuzje, por s’i harroi
kurrë të varfërit e të sëmurët. Vdiq terciare françeskane 24 vjeç, në vitin 1231 në
Marburg, ku kishte hapur spitalin e të varfërve në emër të Shën Françeskut.