2006-11-16 18:17:29

Stanjacion mbi Iranin në Këshillin e Sigurimit. Propozim franko-italo-spanjoll mbi Lindjen e Mesme.


(16.11.06 RV) Divergjencat ndërmjet vendeve perëndimore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Rusisë mbi përmbajtjen e projekt-rezolutës mbi Iranin kanë shkaktuar stanjacion në bisedimet, që po zhvillohen në Pallatin e Qelqit. Nëse vendet evropiane dhe SHBA kërkojnë një embargo të plotë për të gjitha materialet që ndihmojnë programin bërthamor iranian, Rusia, e mbështetur nga Kina kërkon që vendet e bashkësisë ndërkombëtare të vendosin vetë se çfarë t’i shesin Iranit.


Ndërsa vazhdojnë diskutimet mbi formimin e qverisë palestineze të bashkimit kombëtar, Franca, Spanja dhe Italia shpallin një iniciativë të përbashkët për Lindjen e Mesme. Lajmi u dha nga presidenti francez Zhak Shirak gjatë mbledhjes franko-spanjolle në Xhirona të Katalonjës. Janë pesë pikat kryesore të kësaj iniciative: armëpushimi i menjëhershëm, formimi i qeverisë palestineze të bashkimit kombëtar, shkëmbimi i të burgosurve, takimi ndërmjet kryeministrit izraelit dhe presidentit palestinez dhe së fundi, një mision ndërkombëtar në Gaza për të kontrolluar armëpushimin.


Një grup i armatosur ka sekuestruar sot në Bagdad 6 minibuse, me 60 udhëtarë, të cilët sipas gjasave, janë vrarë. Ky është një akt tjetër dhune, që i shtohet sulmeve të ndryshme që kanë shkaktuar vdekjen e 12 personave, vetëm në kryeqytetin e Irakut. Gjatë dy ditëve të fundit, janë vrarë edhe 11 ushtarë amerikanë.







All the contents on this site are copyrighted ©.