2006-11-16 16:25:38

Sot në Vatikan u mbajt takimi i kryesuar nga Papa për çështjen e imzot Milingos.


(16.11.2006 RV)Sot Benedikti XVI kryesoi në Vatikan mbledhjen e kryetarëve të dikastereve të Kuries Romake për të shqyrtuar çështjen e imzot Milingos, kryeipeshkëv nderi i Lusakës, i cili u shkishërua “latae sententiae”, dmth u përjashtua menjëherë nga radhët e bashkimit kishtar, sepse shuguroi ipeshkvij 4 meshtarë, pa mandatin e nevojshëm papnor. Natyrisht shugurimi, i kremtuar më 24 shtatorin e kaluar në Uashington, u shpall menjëherë i pavlefshëm.
Në qëndër të mbledhjes së sotme – siç ka njoftaur edhe Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, përmes një komunikate, ishte reflektimi mbi kërkesat e heqjes së detyrimit të çelibatit dhe të ripranimit në misionin meshtarak, paraqitur nga meshtarët e martuar gjatë viteve të fundit. Komunikata saktësonte se në rendin e ditës nuk parashikoheshin argumente të tjera.
Në një komunikatë tjetër, publikuar më 26 shtatorin e kaluar, Salla e Shtypit e Vatikanit nënvizonte se Kisha e priti me dhimbje të thellë vendimin e kryeipeshkvit Milingo për t’iu kundërvënë bashkimit kishtar me krijimin e shoqatës së meshtarëve të martuar, gjë që ngjalli përçarje e pakënaqësi ndërmjet besimtarëve. Duke pasur parasysh qëndrimin dashamir, që mbajti edhe kohët e fundit Papa kundrejt këtij bariu të moshuar të Kishës – vijonte nota – Selia e Shenjtë ndoqi me durim të vëmendshëm zhvillimin e ngjarjeve të cilat, për fat të keq, e çuan imzot Milingon në kushte parregullsie dhe thelluan më tej shkëputjen e tij nga bashkimi i Kishës, së pari me martesën e më pas me shugurimin e katër ipeshkvijve të martuar. Në këtë gjendje anormale, tepër të trishtuar përfundonte deklarata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - Kisha e fton bashkësinë e besimtarëve ta lusin Zotin që ky vëlla të pendohet e të bëjë kthesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.