2006-11-16 16:26:10

Kardinali Tarçizio Bertone përuroi sot ekspozitën “Laokoonti: në zanafillën e muzeve të Vatikanit”.


(16.11.2006 RV)Me fjalimin e kardinalit Tarçizio Bertone, sot në Vatikan u hap ekspozita “Laokoonti: në zanafillën e muzeve të Vatikanit”, që shënon kulmin e kremtimeve organizuar me rastin e 500-vjetorit të Muzeut, themeluar nga Papa Juli II.
Për të kremtuar denjësisht 500-vjetorin e themelimit, Muzejtë e Vatikanit kanë organizuar një sëri veprimtarish e manifestimesh, që nisën në fillim të vitit e arritën kulmin me ekspozitën ndërkombëtare që u hap sot solemnisht nga kardinali Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij dhe nga kryetari i Governatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit, imzot Gjovani Lajolo, kushtuar grupit skulpturor të Laookontit, gjetjes së tij e fatit të tij.
Për të rijetuar emocionin e mahnitjen që shoqëruan rigjetjen e Laookontit më 14 janar, 5 shekuj më parë, intervistuam Françesko Buranelin, drejtor i Muzeve të Vatikanit:
Përgjigje: - Gjithçka ndodhi më 14 janar 1506, në një mëngjes të ftohtë dimëror. Grupi skulpturor u rigjet rastësisht në Romë, mbi kodrën Oppio, pranë Termes së Titit. Të gjithë njerëzit e kulturës vrapuan menjëherë në vendin e gjetjes së skulpturës. Kronika e kohës tregon: “Dukej si të ishte viti jubilar, aq shumë kardinaj u ngjitën ta shikojnë”. Ngjarja i ra në vesh Julit II, i cili thirri menjëherë Gjuliano Sangalon, piktor, skulptor e arkitekt i shquar i kohës, dhe e dërgoi të shikonte ç’po ndodhte. Juliani shkoi me të birin, Françeskun e me Mikelangjelon. Sapo arriti në Oppio, e kuptoi menjëherë se ishte vepra madhështore, për të cilë n shkruante Plini Plak, i cili sqaronte se ishte krijuar nga Hagjesandros, Athanadoros e Polydoros nga Rodi, duke kujtuar edhe se ishte pronë e perandorit Titi.
Papa Juli II (1503-1513) e bleu menjëherë grupin, e mbarti dhe e vendosi në Vatikan. Këtu, disa vite më pas, u formua Oborri i Shtatoreve, sot Oborri Tetëkëndësh, një ndër bërthamat më të rëndësishme të skulpturës së lashtë në Muzetë e Vatikanit, që do të ndikonte fuqimisht mbi kulturën artistike të shekujve të mëpasëm. Drama që paraqet skulptura e lashtë, shpreh gjithë vuajtjen e dhimbjen e njeriut, që flijon jetën e tij e të bijve të tij për shpëtimin e qytetit të vet. Në të shikojmë të skalitur në mermer, mitin e priftit Laookont me dy të bijtë, që përpiqen më kot të çlirohen nga shtrëngimi i dy gjarpërinjve të tmerrshëm, të dalë nga deti me urdhër të perëndeshës Athina, për ta ndeshkuar priftin që përpiqej t’i bindte trojanët ta linin jashtë mureve të qytetit, kalin e drunjtë të braktisur nga grekët. Na çon, pra, me kujtesë në Trojën e rrethuar nga ushtritë greke, që përgatiten ta marrin me dinakëri qytetin. Është një temë e thellë e tragjike që arti e ka përsëritur e përpunuar vazhdimisht e për të cilën feja e krishterë, që merr pjesë gjithnjë në dhimbjen e njeriut, ofron një perspektivë shprese e shpëtimi. “Laokonti” është një nga veprat më të studiuara e më të kopjuara, duke nisur që nga periudha e Rilindjes. Ndër artistët që i kanë kushtuar vëmendje të veçantë skulpturës, kujtojmë disa emra të shquar si Jakopo Tati (1486-1570), Françesko Primatiçio (1504-1570), Pietre Paul Rubens (1577-1640), Gian Lorenzo Bernini (1598-1680), Karlo Marata (1625-1713), Arturo Martini (1889-1947), Salvator Dalì (1904-1989), Françesko Somaini (1926-2005), Andrei Al Faro, skulptor që vijon krijimtarinë.
Ekspozita, që u hap pranë Muzejve të Vatikanit e që do të mund të vizitohet deri më 28 shkurt 2007, ka pesë seksione, në të cilat paraqitet fama e skulpturës në shekuj, përmes dëshmive të studimeve e të veprave, që nga lashtësia deri në kohët tona, ardhur nga muzetë më të rëndësishme të botës (Metropolitan, British, Luvre, Ermitazh, Albertina, Ufici etj), si dhe nga Biblioteka dhe Arkivi Sekret i Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.