2006-11-15 15:58:11

Shpirti Shenjt vepron në jetën e çdo të krishteri, duke ia vulosur identitetin: këtë theksoi Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme në Vatikan.


(15.11.2006 RV)Në audiencën e sotme Papa vijoi katekizmin mbi figurën e Shën Palit, duke vënë theksin mbi mësimet që jep ‘Apostulli i Popujve’ për Shpirtin Shenjt. Shën Pali – tha Benedikti XVI - na flet për Shpirtin e Zotit dhe për praninë e tij në shpirtin tonë. Ai na tregon se Shpirti Shëlbues ndikon jo vetëm mbi veprimtarinë, por kryesisht mbi qenien e të krishterit.
Për virtyt të Shpirtit Shenjt i krishteri ka një botë shpirtërore të pasur e të thellë, që e bën të krijojë lidhje bijnore me Hyjin. Papa nënvizoi se kjo lidhje përbën dinjitein tonë më të madh, sepse nuk jemi thjeshtë shembëlltyrë e Zotit, por bij të Tij. Kujtoi më pas se Shën Pali na tregon jo vetëm përmasën dinamike të Shpirtit Shenjt, por edhe praninë e tij në jetën e të krishterit, prani që vulos identitetin tonë:
“Pali reflekton mbi Shpirtin, duke treguar se ai ndikon jo vetëm mbi veprimtarinë e të krishterit, por edhe mbi qenien tonë. Ai na thotë se Shpirti Shenjt banon në ne e se ‘Hyji e ka dërguar Shpirtin e Birit të tij në zemrat tona’. Për Palin, Shpirti Shenjt hyn deri në thellësitë tona më të fshehta”.
Libri i ‘Veprave të Apostujve’ – reflektoi Ati i Shenjtë – na flet për misionet e kryera nga apostujt nëpër botë e sidomos na tregon tre udhëtimet e Shën Palit, të cilin Papa e quajti “vigan jo vetëm në apostullim, por edhe në doktrinën teologjike, thellësisht nxitëse”. Pikërisht Shën Pali – vijoi Benedikti XVI – na tregon se është forca e Shpirtit Shenjt ajo që na shtyn ta dëshmojmë besimin në Krishtin:
“Shpirti Shëlbues sjell me vete një shtytje të fuqishme, që na bën ta pranojmë impenjimin e misionit për ta dëshmuar Ungjillin nëpër rrugët e botës”.
Por Shën Pali na tregon edhe një aspekt tjetër të Shpirtit Shenjt: lidhjen e tij të ngushtë me dashurinë. Dashuria është fryti i parë i Shpirtit Shenjt. Një dashuri që bashkon. Që jep jetë. Apostulli shkruan: “Ne mburremi edhe për vuajtje, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, qëndresa besnikërinë e besnikëria, shpresën, që nuk zhgënjen, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua”. Prej këndej mund të themi se Shpirti Shenjt është edhe krijues i bashkimit brënda bashkësisë së krishterë. Duke cituar Shën Agostinin, Papa pohoi: “Në se ne shikojmë dashurinë, shikojmë edhe Trininë”. E nga ana tjetër - vërejti Benedikti XVI - është e vërtetë edhe se Shpirti i Zotit na nxit t’i ndërthurim marrëdhëniet e dashurisë me të gjithë njerëzit. Me qenëse kur duam, i krijojmë hapësirë Shpirtit Shenjt, i japim kështu edhe mundësinë të shprehet plotësisht. Këto fjalë të Papës u shoqëruan me një nxitje të fuqishme për të ndjekur shembullin e Shën Palit:
“Mësojmë, kështu, nga Shën Pali se veprimi i Shpirtit Shenjt i prin jetës sonë drejt vlerave të mëdha të dashurisë, të gëzimit, të bashkimit e të shpresës. Na takon ne ta provojmë çdo ditë këtë përvojë, duke ndjekur këshillat e Shpirtit Shenjt, edhe me ndihmën e Shën Palit Apostull, që na prin e na ndriçon”.
Apostulli i Popujve na mëson se nuk mund të ketë lutje të vërtetë, pa praninë e Shpirtit të Zotit në shpirtin tonë. Është Shpirti Shëlbues ai që na vjen në ndihmë në ligështinë tonë e që i paraqet para Atit adhurimin tonë e dëshirat tona më të fshehta.
Na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje, por vetë Shpirti lutet për ne me ofshame të patregueshme. E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt - sepse ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji”. Kështu Shpirti Shenjt është Shpirti i shpirtit tonë, pjesa më e fshehtë e qenies sonë, prej nga lartohet papushim drejt Zotit lutja, që s’shprehet dot me fjalë.
Së fundi, Shpirti Shenjt sipas Shën Palit, është kapar që na dhurohet nga bujaria e Zotit e njëkohësisht edhe garanci për trashëgimin e ardhshëm. Kjo kërkon një bashkim jetik me Shpirtin Shenjt, i cili vepron shumë më tepër se mund të veprojmë e se mund të dimë ne. Nga ana tjetër Shpirti i Zotit na përfshin në ritmin e jetës Hyjnore, të jetës së dashurisë, duke na bërë të marrim pjesë në marrëdhëniet ndërmjet Atit e Birit – tha në përfundim Benedikti XVI.
Pas katekizmit, Papa i ftoi të rinjtë të jenë veprimtarë të paqes e mjeshtra të pajtimit, duke ndjekur shembullin e Shën Albertit të Madh, festën e të cilit e kremtoi sot Kisha katolike. Shenjti – vuri në dukje Papa - bëri përpjekje të vazhdueshme për të vendosur paqen ndërmjet popujve të kohës së tij. Së fundi Ati i Shenjë i drejtoi një përshëndetje të veçantë shoqatës Venarotta Calcio dhe pjesëmarrësve në lëvizjen ‘Një top për mik’ në të cilën marrin pjesë gazetarët e Rait dhe Policia e Shtetit italian.







All the contents on this site are copyrighted ©.