2006-11-15 16:08:16

Katolikët e anglikanët japin hov të ri dialogut ekumenik: takim historik i ipeshkvijve katolikë të Anglisë e të Galesit me ipeshkvijtë anglikanë në Lids.


(15.11.2006 RV)Ditë historike e sotmja në rrugën ekumenike: për herë të parë u mblodhën së bashku në Lids ipeshkvijtë katolikë të Anglisë e të Galesit me ipeshkvijtë anglikanë, të kryesuar përkatësisht nga Primati i Anglisë, Rouan Uilliams, kryeipeshkëv i Kanterbërit dhe nga Kardinali Kormak Marfi-O’Konorr, kryeipeshkëv i Uestminsterit.40 vjet më parë, vizita në Vatikan e kryeipeshkvit të atëhershën të Këntërbërit Majkëll Ramsei, që u prit në audiencë nga Pali VI, shënonte, menjëherë pas Koncilit II të Vatikanit – një etapë historike në dialogun ekumenik, që do ngjallte shpresa të mëdha për bashkimin e plotë të gjithë të krishterëve e do të sillte, në vitet që do të vinin, fryte pajtimi doktrinor e baritor. Për ta përkujtuar këtë ngjarje të madhe, u organizua takimi që u hap dje pasdite në Lids të Anglisë, i cili do të pasohet nga vizita që Primati i Anglisë, Uiljams, do të bëjnë më 23 nëtorin e ardhshëm në Vatikan, ku do të takohet me Benediktin XVI. “E njohim vlerën që ka puna e përbashkët për t’i dhënë shoqërisë një dëshmi të krishterë të njëzëshme” nënvizojnë kryeipeshkvi Uiljams e kardinali O’Konorr në një deklaratë të përbashkët, publikuar dje, në të cilën theksohet edhe rëndësia e punës krah për krah me konfesionet e krishtera dhe me përfaqësuesit e feve të tjera për të mirën e gjithë shoqërisë njerëzore. Misioni që na ka besuar Krishti - shkruajnë dy prijësit, ai anglikan e ai katolik – na ngarkon me detyrën të impenjohemi thellësisht e gjërësisht në këtë mision, të bazuar mbi dialogun e mbi lutjen e përbashkët”. Nuk i fshehin, më pas, as vështirësitë, që nuk mungojnë. Por entuziazmi për dialogun – shkruajnë dy kryeipeshkvijtë – na shtyn t’i përballojmë ndershmërisht argumentet për të cilat nuk jemi të një mendimi. E kjo është e mundur – përfundon nota – kur mbështetesh tek Ungjilli".







All the contents on this site are copyrighted ©.