2006-11-15 18:42:07

Kajro: izraelitët dhe palestinezët të shkëmbejnë të burgosurit e lajme të tjera.


(15.11.06 RV) Ndërsa në Kajro zhvillohet mbledhja e kuartetit për Lindjen e Mesme, Egjipti deklaron se procesi i paqes mund të mbështetet fuqimisht nëse izraelitët e palestinezët shkëmbejnë të burgosurit. Ky shkëmbim, sipas egjiptianëve, do t’i hapte rrugën takimit ndërmjet presidentit palestinez dhe kryeministrit izraelit dhe do t’u jepte fund si sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, ashtu edhe raketave palestineze mbi Izrael. Një periudhë e tillë qetësie do t’u lejonte atyre të uleshin në tryezën e bisedimeve e Kuartetit të rifillonte procesin e paqes.
Ndërkaq, sot, Këshilli i të drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara votoi me unanimitet për të çuar një të dërguar të veçantë në Lindjen e Mesme, që të shqyrtojë çështjen e vrasjes së 19 civilëve palestinezë nga ana e izraelitëve në Beit Hanun.

“Është tashmë e qartë se Irani kërkon bombën atomike”: kështu reagoi Shtëpia e Bardhë para lajmit se Republika Islamike po ndërton 60 mijë centrifuga për pasurimin e uraniumit. Presidenti iranian Ahmadinexhad shpalli dje këtë objektiv të ri, duke pohuar se ato do të shpërbejnë për të prodhuar lëndë djegëse për centralet bërthamore civile. Sot, Ahmadinexhad konfirmoi se Irani do të shkojë përpara pa pyetur për “Perëndimin”. Inspektorët ndërkombëtarë, në një raport tri faqësh kanë shkruar se nuk mund të sigurojnë që Irani ka qëllime paqësore, pasi Teherani vazhdon të pengojë verifikimet e rastit.

10 vende nuk e kanë respektuar embargon e armëve vendosur nga OKB-ja kundër Somalisë. Shifra përmendet në një raport të Kombeve të Bashkuara, që do të diskutohet të premten në Këshillin e Sigurimit. 7 vende, ndër të cilët Irani dhe Siria, kanë mbështetur me armë dhe personel ushtarak milicët e kohorteve islamike. Ndërsa vende të tjera kanë mbeshtetur palën tjetër, qeverinë e përkohshme somale. Pikërisht për shkak të përfshirjes së këtyre vendeve në konfliktin somal, OKB-ja vë në dukje rrezikun që të lindë një konflikt tjetër ndërmjet Etiopisë dhe Eritresë, apo që të kryhen akte terrorizmi në vendet e tjera të rajonit.

Presidenti amerikan Xhorxh Bush u takua sot në Moskë me presidentin rus Putin, para se të shkojë në mbledhjen e Hanoit me liderët aziatikë. Pas takimit jo formal, Kremlini deklaroi se u fol për programin bërthamor iranian, gjendjen në Lindjen e Mesme dhe çarmatimin bërthamor. Gjithashtu, presidenti amerikan u tregua i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje të përbashkët me Rusinë, për hyrjen e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.