2006-11-14 17:03:06

Mesazh i Benediktit XVI për Ditën botërore të emigrantit 2007: të respektohen dinjiteti dhe të drejtat e emigrantëve, posaçërisht të familjeve në mërgim.


(14.11.2006 RV) RealAudioMP3 Udhëtime, ose më mirë të themi ikje, në kërkim të një jete më të mirë, që bëhen pastaj kurthe vdekjeje. Ky është epilogu i historisë së shumë familjeve të emigrantëve, që kërkojnë në mërgim një ardhmëri të re, në sa u mungon rrjeti i përshtatshëm i mbrojtjes, që duhet t’u garantojë sidomos të drejtën më fillestare, atë të mbijetesës.
“Familjes mërgimtare” i kushtohet Dita botërore e emigrantit dhe e refugjatit, që do të kremtohet më 14 janar 2007. Benedikti XVI, në Mesazhin e rastit, flet për kërkesat njerëzore e shpirtërore të emigrantëve e njëkohësisht denoncon shkeljet që vërehen në përpjekjet për të zgjidhur problemin e ndërlikuar të emigracionit. Mesazhi u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga kryesia e dikasterit përkatës të Selisë Apostolike.
Eshtë një dramë e lashtë ajo që e ushqen me shpresë emergjencën moderne të emigracionit: ikja e familjes së Nazaretit në Egjipt. Benedikti XVI e hap Mesazhin e tij për Ditën e 93-të botërore të emigrantit e të refugjatit me bindjen se Jozefi, Maria e Jezusi, që u detyruan të mërgojnë, janë model, shembull dhe mbështetje për të gjithë emigrantët, shtegëtarët e refugjatët që, të shtyrë nga persekutimi ose nga nevoja, detyrohen të braktisin vatrat e tyre, të largohen nga atdheu, nga të dashurit, të afërmit, miqtë drejt viseve të huaja. Prerje e lidhjeve familjare, shpërdorime nga ana e organizatave që sundojnë tregun e skllevërve të rinj, integrim i ndërlikuar në vendet ku synojnë të gjejnë një jetë më të mirë. Këto janë rreziqet tipike para të cilave ndodhet njeriu që zgjedh ose shtrëngohet të ndjekë rrugën e mërgimit. Është një front jashtzakonisht i gjërë, në të cilin Kisha përpiqet të luftojnë gjithnjë me armën e solidaritetit.
Sekretari i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve, kryeipeshkvi Agostino Marketo, solli në konferencën e shtypit organizuar me këtë rast, disa shifra përmes të cilave mund të përceptohen përmasat e përgjithshme të fenomenit, por edhe hollësitë e tragjedive individuale që e përbëjnë. Sot Komisariati i Lartë i OKB-së ndihmon 20 milion vetë – 9 milion nga të cilët janë refugjatë. 4 milonë janë vetëm palestinezët që asistohen nga Agjensia e OKB-së, ndërsa në Jug të botës vijojnë të jetojnë ndër kampe refugjatësh 9 milionë të shpërngulur nga vatrat e tyre. Imzot Marketo përshkroi gjendjen e një familjeje tipike, që jeton në këto kampe, ku në rend të ditës janë ushqimi i keq, mungesat e të gjitha natyrave e zhgënjimet psikologjike:
Të mbash familjen në kushte të tilla është e vështirë, me ndikim të madh e të rëndë mbi pjestarët e me pasoja negative në marrëdhëniet e saj të brëndshme. Ky ndikim bëhet edhe më i rëndë, kur fëmijët e gratë detyrohen të pranojnë shfrytëzimin seksual, duke e kthyer në mjet mbijetese. Papa e kujton këtë dramë në mesazhin e tij, në paragrafin 4. Në këto kushte, kryetarët e familjes ndjehen të pafuqishëm e të fyer, sepse nuk janë të zotët të sigurojnë as mjetet më fillestare të jetesës për të dashurit e tyre. Shpesh vajzat mbeten shtatzëna vetëm për të siguruar një copë sapuni ose një copë buke për të shuar urinë. Gjithë kjo e shkatërron jetën familjare, duke krijuar kushte të tilla jetese, në të cilat veprimtaria e strukturave shoqërore e ka të vështirë të ndikojë, në sa njerëzit humbasin vlerat, humanitetin e dinjitetin e tyre. Prej këndej refugjatët, në mënyrë të natyrshme, dëshirojnë diçka më tepër se strehimi: dëshirojnë të punojnë e të kontribuojnë për mirëqenien e shoqërisë që i strehon, gjë që i ndihmon edhe të integrohen”.
Për të favorizuar integrimin, Benedikti XVI inkurajon ratifikimin e Konventës ndërkombëtare 2003, që mbron të drejtat e punëtorëve emigrantë, si dhe marrjen e masave ligjore e shoqërore nga ana e qeverive. Në rast të mungesës së tyre, familjet e shtypura nën barrën e vështirësive të integrimit, përdorin mekanizmat e tyre të mbijetesës, që pengojnë zhvillimin e harmonishëm. Duhen inkurajuar njerëzit e shkatërruar shpirtërisht ta rifitojnë besimin në vetvete – thekson Benedikti XVI dhe vijon: Duhet pastaj edhe impenjimi që të garantohen të drejtat dhe dinjiteti i familjeve dhe t’u sigurohet një strehë në përkim me kërkesat e tyre. Ndërkaq nga refugjatët duhet kërkuar të sillen mirë në shoqërinë e re që i strehon. Papa i porositë kishat vendase të punojnë në të gjitha fushat baritore, përfshirë edhe atë të studentëve të huaj – duke pasur parasysh porosinë e Shën Palit: “Caritas Christi urget nos”, “Dashuria e Krishtit na nxit”. Këtë theksoi edhe kryetari i dikasterit të Vatikanit, kardinali Renato Rafaele Martino:
Shoqëria civile dhe bashkësia e krishterë duhet t’i kenë mirë parasysh problemet e ndërlikuara dhe vështirësitë, por edhe vlerat e burimet e këtij realiteti të ri shoqëror. Kjo kërkon zhvillimin e marrëdhënieve, të cilat nga njëra anë kthehen në ndihmë për përfshirjen në shoqëri, e nga ana tjetër, në raste për zhvillimin personal, shoqëror e fetar, për të krishterët, bazuar mbi respektimin e ligjeve, mbi takimin e kulturave e të feve e mbi respektimin reciprok të vlerave, që kanë në themel të drejtat e njeriut. Në këtë mënyrë e Drejta ndërkombëtare duhet të synojë ta mbrojë bashkimin familjar e ta luftojë fenomenin gjithnjë më të përhapur të bashkimeve të faktit, dmth të krijimit të familjeve të parregullta, pasojë e vështirësive për bashkim ligjor, për shak të procedurës së gjatë burokratike të sigurimit të këtij bashkimi.Në vijim të konferncës së shtypit, duke u dhënë përgjigje pyetjeve të gazetarëve, u përballuan probleme të ndryshme, që nga muri që duhet të ndajë kufirin e SHBA nga Meksika, i cili konsiderohet çnjerëzr nga ipeshkvijtë e të dy vendeve – tek ndërhyrja e mundshme e bashkësisë ndërkombëtare ndër zonat në krizë të Planetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.