Kalendari Kishtar i 14 nëntorit përkujton Shën Shtjefnin Kyenò, ipeshkëv e martir.
(14.11.2006 RV)Shekulli ishte vetëm
dy vjeç - kështu e përshkruan datëlindjen e vet nën Napoleonin, Konsull i parë, Viktor
Hygoi, patriark i letërsisë romantike franceze që lindi në Bezanson të Francës më
8 shkurt 1802. Në të njëjtin vit me autorin e romanit “Të mjerët” lindte, në Belië,
i biri i një bujku, që më pas do të bëhej ipeshkëv, si imzot Myriel tek romani i Hygoit,
e që do të kthente në rrugë të drejtë, duke e thirrur vëlla, jo vetëm një ish të burgosur
zemërbardhë si Zhan Valzhani, por mijëra paganë nga Indokina, të cilët i desh si t’i
kishte vërtetë vëllezër. Me ipeshkvin Myriel, Viktor Hygo krijonte figurën ideale
të prelatit të lidhur ngusht me popullin e me mjerimin e tij, me shpirt sa ungjillor,
aq edhe revolucionar. Po ta kishte njohur imzot Kyenò-n, do të kishte pasur rastin
të shihte figurën, jo letrare, por reale, të një biri të popullit, për të cilin “i
afërmi”, nuk ishte një shprehje e përgjithshme, as një farë klase shoqërore, që jetonte
në një vend e në një periudhë të caktuar historike. I afërmi për të përfshinte të
gjitha klasat, të gjitha racat e kombet, në atë revolucion të përhershëm që është
krishtërimi i vërtetë. I pagëzuar në një kullë sane, i edukuar nga famullitarët e
fshatit, Shtjefni i ri studioi me ndihmën e prindërve, që i paguanin mësuesët me dhurata
në natyrë. Kur hyri në teologji, e ëma shiti petkun e saj të martesës, për t’i
blerë uniformën e studentit. Prandaj, sa u shugurua meshtar, gjëja e parë që bëri,
ishte t’i blinte nënës një fustan të ri. Nuk e gjeti menjëherë rrugën e meshtarisë.
Në fillim deshi të bëhej orëndreqës. Pastaj shërbeu si katekist e si mësues besimi.
Së fundi e gjeti rrugën e vërtetë, duke hyrë, në vitin 1827 në Kongregatën e Etërve
misionarë të Shën Vinçenc de Paolit. Një vit më vonë misionari i ri arrinte në Indokinë.
Në vitin 1835 u shugurua ipeshkëv i Metelopolis. Filloi menjëherë betejën për të mbrojtur
besimtarët e tij të nëpërkëmbur e të persekutuar nga ana e autoriteteve budiste.
E në këtë betejë nisi të fitonte mijëra shpirtra. Mijëra vetë nisën të kthehen në
fenë e krishterë, të frymëzuar nga shembulli i jetës së ipeshkvit. Kur njeri prej
tyre detyrohej, me tortura, të mohonte fenë e re, njëqind të tjerë kërkonin Pagëzimin.
Kleri vendas u trifishua, u hapen shumë shtëpi për edukimin e jetimëve, vijoi me zell
të madh përkthimi i librave kishtarë e fama e ipeshkvit francez arriti deri në zonat
e largëta malore të Laosit. Në vitin 1861, gjatë persekutimit të të krishterëve
nga ana e mbretit Tu-Duk, ipeshkvi shenjt u kap e u mbyll në kafaz. Nuk u mbyt menjëherë,
por ngadalë-ngadalë me helme që përdornin vendasit, derisa mbylli sytë më 14 nëntor
1861. Prandaj konsiderohet martir e nderohet me titullin ‘i Lum’. Rojet që e ruanin
thanë për të: “Ishte bërë i përkryer, prandaj qielli nxitoi ta merrte para se të pësonte
një poshtërim të ri”. E kishin fjalën për trajtimin e trupit të tij të vdekur, të
cilit iu pre koka. Një vit pas vdekjes së tij, një traktat ndërmjet Francës e Indokinës,
sanksiononte, të paktën në teori, lirinë e kultit në vend.