2006-11-14 16:53:38

Bush në Azi në mbledhjen e APEC-ut; Hamas nuk do ta njohë shtetin e Izraelit.


(14.11.06 RV)Presidenti amerikan Bush u nis sot për në Azi, në një turne që do ta çojë në Singapur, Vietnam dhe Indonezi. Do të marrë pjesë në mbledhjen e Apekut (Shoqatës për Bashkëpunimin Ekonomik ndërmjet Azisë dhe vendeve të Paqësorit), e cila do të zhvillohet në fundjavë në Hanoi. Për Bushin, që nuk ka qenë kurrë në Vietnam, sepse kur duhej të shkonte si ushtar gjeti një pretekst për të mos u nisur, kjo vizitë bie në një moment të vështirë: gjendja në Irak evokon për disa aspekte atë të Vietnamit në kohën e luftës dhe fantazma e mundjes së amerikanëve pret pas derës.
Temat që do të përballojë Bush në takime shumëpalëshe dhe dypalëshe kanë të bëjnë me çarmatimin e Koresë së Veriut, me Iranin, me luftën kundër terrorizmit, me shkembimet ekonomike në një zonë që ka ritmet më të shpejta të zhvillimit në botë dhe me sfidat që sjell përhapja e viruseve më të rrezikshëm për shëndetin e njeriut, përhapje që fillon gjithnjë nga Azia Juglindore. Gjatë natës, Bush do të takohet në aeroportin e Moskës me presidentin rus Putin, gjë që paralajmëron një bisedë dypalëshe gjatë mbledhjes së Hanoit.

Organizata palestineze Hamas nuk ka ndërmend të marrë pjesë në një qeveri që njeh Izraelin. Deklarata është e zëdhënësit të Hamasit, Favzi Bargumi, dhe vë seriozisht në dyshim përpjekjet për formimin e qeverisë së bashkimit kombëtar. Për organizatën islamike, zgjidhja e dy shteteve të ndara, mbështetur nga amerikanët dhe bashkësia ndërkombëtare, do të thotë njohje e Izraelit. Hamasi kërkon gjithashtu që të hiqet embargoja ndërkombëtare kundër Autoritetit Palestinez.
Ndërkaq, kuarteti për Lindjen e Mesme (SHBA, BE, OKB dhe Rusi) do të mblidhet nesër në Kajro, në përkim me vizitën në Egjipt të presidentit palestinez Abu Mazen, i cili do të informojë autoritetet mbi bisedimet për formimin e qeverisë. Kandidati për kryeministër, rektori i Universitetit të Gazës, Mohamed Shabir ka pranuar detyrën, por nuk dihet se kur do të formohet kjo qeveri.







All the contents on this site are copyrighted ©.