2006-11-13 17:53:19

Gjithnjë gjakderdhje në Irak, kryeministri i Vendit paralajmëron ndryshime në qeveri


(13.11.06 RV) Gjithnjë gjakderdhje në Irak. Së paku 16 persona janë vrarë në dy atentate në Bagdad. Po në kryeqytet, forcat amerikane kanë vrarë 8 rebelë dhe kanë arrestuar 41 persona të dyshuar si ekstremistë. Në Latifija janë gjetur trupat pa koka të 9 personave nga 13 të rrëmbyer të shtunën në qytetin Divanija.
Në planin politik, kryeministri britanik Toni Bler, sipas shtypit të vendit, do t’u kërkojë Sirisë dhe Iranit të marrin pjesë në përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës në Irak. Në diskutimin që mban sonte në Londër, Bler sqaron se si zgjidhja për gjendjen në Irak mund të gjendet vetëm duke përballuar në tërësi edhe çështjet e tjera të Lindjes së Mesme, si konfliktin arabo-izraelit dhe Libanin. Ky qëndrim përkon me udhëtimin 10 ditëve më parë të kreut të CIA-s, Negroponte në Lindjen e Mesme, i cili sipas mediave, kishte për qëllim pikërisht të përfshinte Sirinë dhe Iranin në zgjidhjen e konfliktit në Irak.


Vazhdojnë sot në Damask të Sirisë, kontaktet për formimin e një qeverie palestineze të bashkimit kombëtar, ndërsa presidenti Abu Mazen ka shkuar në Aman për t’i ilustruar mbretit Abdallah II të Jordanisë, koalicionin e ri që do të përfshijë si Hamasin, ashtu edhe partinë al-Fatah. Gjendja në Lindjen e Mesme është edhe në qendër të bisedimeve të kryeministrit izraelit Olmert me presidentin amerikan Bush, të cilin e takon sot në Uashington. Në një intervistë të rrallë në një gazetë palestineze, Olmert ka shprehur mundësinë e dialogut me Hamasin, nëse organizata do të pranojë kushtet e vendosura nga SHBA-ja, BE-ja, OKB-ja dhe Rusia e pra, mohimin e dhunës, njohjen e Izraelit dhe impenjimin për të respektuar marrëveshjet e nënshkruara nga Autoriteti Palestinez.


Turqia reagon ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian mbi Qipron. Sipas ministrit turk të Ekonomisë, që drejton tratativat me Evropën, Brukseli nuk është në gjendje të mbajë një qëndrim “objektiv” mbi Qipron, prandaj Turqia nuk pret ndonjë zgjidhje “të drejtë” nga ana e 25-shes. Në takimin me komisarin për zgjerimin evropian, Olli Rehn, ministri turk Ali Babakan, u ankua se Bashkimi Evropian ka pranuar vetëm pjesën greke të ishullit, ndërsa turqit ndihen të refuzuar nga shumë vende evropiane. Nga ana e tij, Rehn nënvizoi se “nëse pas 10 ose 15 vjetësh, Turqia do të bëhet një vend evropian e modern, ku të respektohen vlerat demokratike e shteti i së drejtës, sigurisht që mund të fitohen zemrat dhe shpirti i evropianëve dhe të kompletohet ratifikimi i integrimit në Evropë, edhe nëpërmjet një referendumi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.