2006-11-13 17:57:28

BE-ja: viza më lehtë Ballkanit Perëndimor e lajme të tjera nga Shqipëria e Kosova


(13.11.06 RV)RealAudioMP3 Ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian sot në Bruksel vendosën lehtësimin e procedurës së dhënies së vizave për vendet e Ballkanit perëndimor. Përfitojnë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Do t’i marrin më lehtë vizat dhe do t’i paguajnë ato më pak, studentët, punonjësit shkencorë, afaristët dhe gazetarët. Disa kategori do të përfitojnë viza me shumë hyrje.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian u kërkon këtyre vendeve të nënshkruajnë me Brukselin marrëveshjen e riatdhesimit, duke pranuar kështu të gjithë shtetasit e tyre, që kthehen mbrapsht me dekret të veçantë nga vendet ku qëndrojnë ilegalisht. Si marrëveshja për vizat, ashtu edhe ajo për riatdhesimin vlejnë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, përveç Britanisë së Madhe dhe Irlandës.


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ka vendosur të krijojë një grup pune për reformat në sistemin gjyqësor, në përgjigje të problemeve të konstatuara nga raporti i fundit i Bashkimit Evropian. Sot, Moisiu u takua me përfaqësues nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Gjykata e Lartë. Grupi i krijuar nga këto institucione duhet të përgatisë një tryezë ndërinstitucionale, e cila do të diskutojë për reformat që duhen ndërmarrë.


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana miratoi vendimin e kryenegociatorit për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, që propozimi për statusin të paraqitet pas zgjedhjeve të 21 janarit në Serbi. Gjatë mbledhjes së ministrave të jashtëm e atyre të mbrojtjes, që po zhvillohet sot në Bruksel, Solana deklaroi se ky vendim ishte i pritshëm dhe se nuk është ndonjë shtyrje e rëndësishme. Shtyrja ka shkaktuar pakënaqësi në Kosovë.







All the contents on this site are copyrighted ©.