2006-11-11 15:28:41

Ta përballojmë tundimin e një feje “sipas kartave”: është ftesa e kryetarit të Konferencës ipeshkvnore franceze, kardinalit Rikard, në mbledhjen plenare të ipeshkvijve.


(12.11.2006 RV)RealAudioMP3 “Larmia është e mundur, por duhet të jetë e rregullt” – kështu u shpreh kardinali Zhan-Pierre Rikard, kryeipeshkëv i Bordosë e kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Francës të premten e kaluar, në fjalimin përfundimtar të mbledhjes plenare të Konferencës ipeshkvnore franceze. Si theksoi bashkimin e plotë me Benediktin XVI, kardinali nënvizoi se episkopati i Francës, duke marrë pjesë në shqetësimin e Papës për bashkimin e Kishës, ofron rrugën e pajtimit me ndjekësit e imzot Lefebvre, që e thonë Meshën në gjuhën latine edhe pas Koncilit II të Vatikanit. E dimë mirë – theksoi kardinali Rikard, se ndryshimet me besimtarët që ndoqën imzot Lefebvrin, duke iu kundërvënë Romës, nuk janë vetëm liturgjike, por edhe teologjike (lidhur me lirinë fetare, ekumenizmin e dialogun ndërfetar) si dhe politike. Por – shtoi kardinali – nuk duam ta minimizojmë rëndësinë e liturgjisë, që është zemër e jetës kishtare. Prelatët dëshirojnë t’i presin si miq ata që vijojnë ta thonë Meshën sipas ritit të Piut V. “Duhet t’i bëjmë ballë tundimit për një fe sipas kartave, sepse nuk i shërben as unitetit të liturgjisë e as të Kishës. T’i shikosh të gjitha marrëdhëniet në Kishë me termat e strategjive që duhen çuar përpara, të luftërave që duhen luftuar, të fitoreve që duhen arritur e të polemikave që duhen ushqyer – shtoi kardinali – nuk bëjmë tjetër, veçse ta dëmtojmë veprën e pajtimit. Si ipeshkvij – tha në përfundim kryetari i Konferencës ipeshkvnore franceze – jemi gati ta ruajmë, së bashku me Atin e Shenjtë e nën autoritetin e tij, unitetin e Kishës e të bashkimit në gjirin e Kishave tona vendase e ndërmjet Kishave tona”.







All the contents on this site are copyrighted ©.