2006-11-11 15:28:57

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar:


(12.11.2006 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXXII të kohës gjatë vitit kishtar. Përkujtoi edhe Shën Jozafatin, ipeshkëv e martir si dhe Shën Diegon, laik françeskan
Nesër, e hënë, do të kremtojë festën e Shën Nikollës I papë e të Shën Agostina Pietrantonit, virgjër. Na kujtojnë se Jezusi i jep tri porosi atij që dëshiron ta ndjekë: të mos largohet kurrë nga Zoti, të falë e të lypë dhantinë e fesë. Besnikëria ndaj këtyre tri porosive sjell fryte që nuk mund të përfytyrohen.
Festa e Shën Serapionit, ipeshkëv i Aleksandrisë, që do të kremtohet të martën, na kujton se Jezusi na mëson të kënaqemi sepse jemi me Të e jo sepse bëjmë ndonjë gjë. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë, nuk i mungojnë njeriut që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.
Të mërkurën do të kremtohet Shën Alberti i madh, ipeshkëv e doktor i kishës dhe Shën Jozef Pinjateli, meshtar jezuit. Na kujtojnë se Jezusi shëroi shumë të gërbulur, po vetëm njëri u kthye ta falënderojë atë, që ka forcë të shërojë sëmundjet e korpit e të shpirtit. I krishteri i vërtetë duhet ta pranojë çdo çast pushtetin e Zotit mbi jetën e tij e duhet të jetë i vetëdijshëm se është Hyji ai, që na prin drejt të mirave të jetës së amshuar.
Duke ndjekur liturgjinë e festës së Shën Margeritës së Skocisë e të Shën Gjeltrudes, virgjër benediktine - të enjten e ardhshme, nuk mund të mos na lindë pyetja: “Ç’është mbretëria e Zotit? Kur do të vijë?”. Këto pyetje i bëjmë edhe sot, siç i bënin farizejtë në kohën e Jezusit. E pra Ai na fton të mos e ndjekim këtë logjikë njerëzore e ta pranojmë pa kushte në jetën tonë të përditshme.
Ta humbasësh jetën, për ta shpëtuar. Këtë mendim, në dukje kontradiktor, na kujton, të premten e ardhshme, festa e Shën Elizabetës së Hungarisë, terciare françeskane. E pra vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën, do të shpërblehet në ditën e mbrame. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës, nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.
Të shtunën do të kremtohet përvjetori i shugurimit të Bazikës vatikanase (1626) dhe i Bazilikës ostiense (1854). Na kujtojnë se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurtë në rrugët që çojnë drejt qiellit.







All the contents on this site are copyrighted ©.