2006-11-08 18:00:36

Takimi me Krishtin e ndryshon jetën tonë: kështu tha Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme duke folur për Shën Palin Apostull.


(8.11.2006 RV)RealAudioMP3 Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në praninë e 15 mijë shtegtarëve e besimtarëve, të mbledhur për të ndjekur katekizmin papnor, Benedikti XVI vuri në qëndër të vëmendjes takimin me Krishtin, që e ndryshon dhe e drejton jetën tonë, duke e bashkuar thellësisht me ngjarjet e jetës së tij tokësore e shpirtërore.
Shtytjen për katekizmin e sotëm Ati i Shenjtë e mori nga takimi i Shën Palit me Krishtin në rrugën e Damaskut, takim që e revolucionarizoi jetën e Apostullit të Popujve. Por, si mund të takohet njeriu me Krishtin e ç’ndodh pas një takimi të tillë? Shën Pali – shpjegoi Papa – na ndihmon të kuptojmë vlerën themelore të fesë, nga e cila nuk mund të hiqet dorë, siç shkruan Apostulli në Letrën drejtuar romakëve: “Njeriu shfajsohet nga feja, pavarësisht nga veprimet e paracaktuara në ligjin e Moisiut”. Të shfajsohesh do të thotë të bëhesh i drejtë përmes hirit të Hyjit dhe të hysh në bashkim me Të, me qëllim që të krijosh një lidhje më të vërtetë me të gjithë, e këtë mbi bazën e faljes së plotë të mëkateve tona:
“Është e rëndësishme të kuptojmë sa mund të ndikojë Jezu Krishti në jetën e njeriut, pra edhe në jetën tonë. Në të vërtetë, Krishti Jezus është maja e historisë shëlbuese e, prej këndej, edhe maja e vërtetë që e dallon dialogun me fetë tjera”.
I krishteri i vërtetë është deri në atë masë në Jezu Krishtin, sa të shkrihet në Të e të marrë pjesë edhe në vdekjen e Tij, ashtu si në jetën e Tij. Kështu i krishteri njëjtësohet me Krishtin e Krishti – bëhet një me të krishterin. E ky mirëkuptim duhet të përshkojë gjithë jetën tonë të përditshme - tha Papa - dhe në vijim theksoi:
“Nga njëra anë feja duhet të na bëjë të sillemi përherë përvujtërisht para Zotit, madje ta adhurojmë e ta lavdërojmë. Nuk duhet të harrojmë se jemi të krishterë vetëm për virtyt të Tij e të hirit të Tij. Me qenë se asgjë e askush nuk mund ta zërë vendin e Zotit, duhet të mos ia kushtojmë asgjëje e askujt nderimet që ia kushtojmë Atij. Asnjë lloj idhulli nuk duhet ta përlyejë universin tonë shpirtëror, përndryshe, në vend që të gëzojmë lirinë e fituar, do të biem përsëri në një formë poshtëruese skllavërie. Nga ana tjetër, fakti se i përkasim rrënjësisht Krishtit e se jemi në Të, duket të na mbushë me besim të plotë e me gëzim të pakufishëm”.
Takimi me Krishtin krijon një lidhje të pazgjidhshme:“Në fund të fundit, duhet të brohorasim së bashku me Shën Palin: “Në se Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Rreziku? Shpata? Jemi plotësisht të bindur se asgjë nuk mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftue në Jezu Krishtin, Zotin tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.