2006-11-08 18:00:47

Përballë njeriut që i thotë ‘jo’dashurisë së Tij, fantazia e Zotit është e pashterrshme dhe gjen gjithnjë mënyra të reja për ta shfaqur mëshirën e vet të pakufishme. Kështu u shpreh Papa në Meshës me ipeshkvijtë zviceranë.


(8.11.2006 RV) Dashuria e Zotit ka një forcë krijuese më të madhe se refuzimi me të cilin i përgjigjet njeriu. Sa herë që njeriu i thotë ‘jo’, Zoti gjen një rrugë të re, më të madhe, për t’i thënë ‘po’ njeriut, historisë së tij e krijimit. Këtë theksoi dje Papa në homelinë, mbajtur në gjuhën gjermane, gjatë Meshës me ipeshkvijtë zviceranë, të cilët e përfundojnë nesër vizitën e tyre ad Limina në Vatikan.
Mesazhi i Benediktit XVI është i qartë: Zoti nuk dështon. Ndonëse e lë njeriun të jetojë i lirë e t’i thotë ‘jo’, e gjen gjithnjë rrugën për të shpalosur një përmasë të re të dashurisë së tij. Fantazia e Hyjit e forca krijuese e dashurisë së tij, janë më të mëdha se refuzimi njerëzor. Papa përshkoi historinë e njerëzimit, duke shpjeguar se Adami e konsideroi miqësinë me Hyjin si pengesë për lirinë e tij e deshi të bëhej vetë Hyj. Prandaj edhe ra. E prandaj Zoti zbriti në tokë, u bë njeri e hapi një faqe të re të historisë së njerëzimit; zbriti deri në greminat më të thella të shpirtit njerëzor, e uli veten deri në kryqëzim, fitoi mbi mburrjen me përvujtëri e me nënshtrim deri në kryq. E edhe pse njeriu vijon t’i thotë ‘jo’ dashurisë së Hyjit, Zoti nuk pushon s’e ftuari të marrë pjesë në dashurinë e tij, një dashuri që shtrihet në mbarë botën. Kështu Ungjilli, përmes rrugës gjithnjë të re të kryqëzimit, bëhet universal, i pushton të gjithë. Me këto fjalë Benedikti XVI deshi të vinte në dukje se megjithë ‘jo’-të e kohëve tona, dmth lajmet e shumta të rënda e shqetësuese që dëgjon gjatë vizitave ad Limina, lajmi i mirë vijon të përshkojë botën. Jemi në dijeni se kishat janë gjithnjë më të zbrazura, se seminaret nuk kanë shumë kandidatë, se kuvendet kanë gjithnjë më pak rregulltarë; i njohim të gjitha format me të cilat shqiptohet kjo ‘jo’, nuk kam kohë të merrem me Zotin, kam gjëra shumë më të rëndësishme për të bërë! - kujtoi Papa. E kjo, sepse shumë njerëz nuk e kanë kuptuar akoma ç’do të thotë të prekesh nga Zoti, ta shijosh Zotin. Detyra e Kishës është t’i ndihmojë njerëzit ta shijojnë Hyjin – nënvizoi Papa dhe në vijim shpjegoi se para botës shtrohen shumë probleme për t’u zgjidhur, por njeriu duhet ta ketë mirë parsasysh se nuk mund të zgjidhen, në se Zoti nuk vihet në qendër të jetës, në se nuk bëhet përsëri i dukshëm në botë, në se nuk bëhet vendimtar në jetën tonë e në se nuk hyn përmes nesh në mënyrë vendimtare në botë!







All the contents on this site are copyrighted ©.