Kalendari Kishtar i 8 nëntorit, përkujton Shën Adeodatin, papë.
(8.11.2006 RV) Emri Adeodat vjen nga latinishtja e do të thotë i ‘dhuruar nga
Zoti’. Adeodati, që në listën e papëve shënohet me emrin e pagëzimit Deusdedit
(Zoti ka dhënë), por edhe me emrin Adeodat (i dhuruar nga Zoti) ishte bir i sudiakonit
romak, Shtjefnit. Dimë se u edukua në kuvendin e Romës kushtuar Shën Erazmit, por
nuk kemi të dhëna të tjera për rininë e tij e po kështu edhe për papninë, sepse nga
gjysma e shekullit VII, shekull shkatrrimtar e i tmerrshëm për Qytetin e Amshuar,
historia e Romës zhytet në një errësirë të plotë. Dimë se në vitin 615, kur ndoqi
papën Bonifaci IV, kishte kremtuar 40-vjetorin e meshtarisë. Kur Papa Bonifaci u ul
në fronin e shën Pjetrit, detyrat më të rëndësishme në Kishë ishin në duart e murgjërve,
sipas dëshirës së Gregorit të Madh (590-604). Papa i ri i zevendësoi përsëri rregulltarët
me priftërinj shekullarë, të cilët i detyroi të luten më shumë. Në këtë epokë një
pjesë e mirë e Italisë ishte në duart e Longobardëve, ndërsa pjesa tjetër, me Romën,
varej nga perandori i Lindjes, të cilin e përfaqësonte një ekzark që jetonte në Ravenë.
Kohë të turbullta, kur ndeshjet ndërmjet Lindjes e Perëndimit, edhe për probleme doktrinore
ndërmjet të krishterëve, ishin çështje e ditës. Por Papa Adeodati nuk pati kohë, as
mundësi, të merrte pjesë në ndeshje të kësaj natyre. Në vitin 616 jetoi në Romë kohët
e tmerrshme të epidemisë së kolerës, pasuar, në vitin 618, nga epidemia e gërbulës. Ndërmjet
një epidemie e tjetrës, qyteti u rrafshua nga termeti i gushtit të vitit 618. Kështu
Adeodati e jetoi papninë në mes të të vdekurve nga sëmundjet e të varrosurve për së
gjalli nga termeti, që kërkonin ndihmë, sepse Roma i përkiste perandorit të largët,
por fatkeqësitë e romakëve i përkisnin papës. E Adeodati nuk e kurseu veten: vrapoi
gjithë ditën, ndihmoi sa mundi e ngushëlloi me gjithë shpirt. Vrapin e përditshëm
ia ndërpreu vdekja, për të cilën gjithashtu nuk kemi asnjë të dhënë, ashtu si për
viktimat e shumta, ndërmjet të cilave kaloi ditët e fundit të jetës. Dimë vetëm se
u desh të kalonin trembëdhjetë muaj, derisa u zgjodh pasardhësi.Nga Libri i Papëve
mësojmë se bëri reformën liturgjike, që njihet me emrin Sekunda Missa, duke u krijuar
meshtarëve binacionin apo mundësinë të kremtojnë edhe një meshë të dytë brënda ditës.