2006-11-08 18:46:32

18 civilë vriten nga izraelitët në rripin e Gazës. Indinjohet bota.


(08.11.06 RV)“Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por jo me çmimin e jetëve të pafajshme”. Ky është qëndrimi që përshkon pothuaj të gjitha reagimet për masakrën e mëngjesit të sotëm në Beit Hanun të Rripi të Gazës, ku tanke izraelite qëlluan mbi shtëpitë e civilëve palestinezë, duke vrarë 18 vetë, ndër të cilët 7 gra e 4 fëmijë. Numri më i lartë i viktimave palestineze, gjatë katër vjetëve të fundit. U shfaros krejtësisht një familje prej 13 vetësh e shumë prej të vdekurve, kanë qenë në gjumë në momentin e bombardimit.
Presidenti palestinez, i moderuari Abu Mazen e quajti gjakderdhjen “masakër të tmerrshme e barbare” dhe kërkoi sëbashku me kryeministrin Hanijeh, përfaqësuesin e Hamasit në qeveri, mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Drejtuesit e Hamasit u kanë kërkuar militantëve islamikë të rifillojnë sulmet kamikaze në territorin izraelit. Rrezikohen gjithashtu, edhe bisedimet ndërmjet presidentit dhe kryeministrit për formimin e qeverisë së bashkimit kombëtar, bisedime që janë pezulluar pas masakrës.
Nga Izraeli, reagimet janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Një pjesë e qeverisë kërkon ndalimin e operacionit “Retë e vjeshtës” në Beit Hanun dhe hapjen e një hetimi për masakrën e sotme, ndërsa pjesa tjetër kërkon formalisht falje për vrasjen e civilëve, e cila sipas shpjegimeve “nuk ishte në plan, por në luftë këto gjëra ndodhin”, dhe thekson se duhet vazhduar operacioni.
I dërguari i veçantë i OKB-së për Lindjen e Mesme, Alvaro de Soto dënoi me forcë ngjarjen dhe i kërkoi qeverisë izraelite të ndalë operacionin, por edhe palestinezëve të mos sulmojnë objektiva të Shtetit hebraik. “Shokuese” e ka quajtur masakrën Komisarja evropiane për Marrëdhëniet me Jashtë, Benita Ferrero-Valdner. Reagime të ngjashme edhe nga Roma, Brukseli, Londra e Ankaraja, që kanë kërkuar ndërhyrjen ndërkombëtare. Lidhja Arabe po përgatitet të mbledhë me urgjencë ministrat e saj të jashtëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.