2006-11-07 18:34:45

Pas dënimit me vdekje Sadam Hyseini përsëri sot në gjyq për masakrën e 180 mijë kurdëve


(07.11.06. RV) Filloi sot në Irak procesi i apelit për Sadam Hyseinin. Ish-diktatori është dënuar me varje nga gjykata e shkallës së parë. Në diskutimin e përgjithshëm, nëse është e drejtë apo jo që ish-raisi të dënohet me vdekje, hyn edhe Irani. Republika Islamike nuk ka dyshim se Sadam Hyseini meriton vdekjen dhe kërkon që vendimi të zbatohet me përpikmëri. Zëdhënësi i qeverisë së Teheranit, gjatë një konference shtypi, uroi që të mos ketë presione për tërheqjen e vendimit.
Ndërkaq në terren, policia irakiane ka gjetur në Bagddad 20 trupa pa jetë brenda 24 orëve. Ndër ta edhe një grua. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme e Irakut ka hedhur në gjyq 57 punonjës publikë, të cilët akuzohen se kanë torturuar qindra të burgosur në një burg të Bagdadit. Ndër të akuzuarit, shumë janë funksionarë të policisë, madje edhe me gradë të lartë.

Ushtria izraelite u tërhoq nga veriu i Rripit të Gazës, duke përfunduar kështu gjashtë ditëshin e operacionit “Retë e vjeshtës”, në të cilin gjetën vdekjen 57 palestinezë dhe një ushtar hebraik. Por tërheqja nga Beit Hanun, ku gjithsesi mbeten ushtarë izraelitë, nuk e ka ndalur dhunën. 6 palestinezë, ndër të cilët një grua, u vranë nga izraelitët. Dy militantë të Xhihadit islamik gjetën vdekjen nga forcat izraelite në jug të Beit Hanunit. Vrasje kanë ndodhur edhe në kampin e refugjatëve të Zhabalijes, si përgjigje ndaj pranisë në vend të militantëve të Hamasit.
Në planin politik, sot janë takuan presidenti palestinez Mahmud Abas dhe kryeministri i Hamasit, Ismail Hanijeh. Megjithëse palët janë marrë vesh për disa çështje, ende nuk u arrit marrëveshja e shumëpritur për formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar. Takimi do të vazhdojë edhe nesër.







All the contents on this site are copyrighted ©.