2006-11-07 17:50:07

Ministri i Jashtëm i Vatikanit, Imzot Mamberti në FAO: uria në botë, shkandull i papranueshëm.


(7.11.2006 RV) “Jemi thellësisht të shqetësuar, në sa vërejmë se sot shumë njerëzve u vihet në diskutim e drejta për të jetuar”. Kështu u shpreh kryeipeshkvi Dominik Mamberti, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, në Komitetin e FAO-s për sigurimin ushqimor, që u mbajt pak ditë më parë.
“Uria e ushqimi i keq janë të papranueshme në një botë që ka nivele prodhimi, burime e njohuri, të cilat i krijojnë të gjitha mundësitë për t’i dhënë fund kësaj shuplake dhe pasojave të saj dramatike”: kjo është sinteza e fjalimit që mbajti imzot Mamberti, në Komitetin e FAO-s për sigurimin ushqimit, mbledhur në Romë për vlerësimin e progresit që është bërë lidhur me vënien në jetë të impenjimeve marrë në Takimin e rangut të lartë botëror mbi ushqimin 10 vjet më parë. Prelati solli në takim përshëndetjen dhe inkurajimin e Benediktit XVI për misionin e FAO-s në botë. Sipas kryeipeshkvit Mamberti, realiteti i shumë njerëzve, të cilëve u vihet në diskutim e drejta për të jetuar, duhet t’i shqetësojë e t’i prekë ndërgjegjet e të gjithëve. E kjo sepse, megjithë përpjekjet e FAO-s, të vetë shteteve, të organizatave jo qeveritare, të një numri të madh shoqatash e individësh të veçantë, zhdukja e pasigurisë ushqimore është objektiv ende i largët, që kërkon impenjime politike, juridike dhe ekonomike, për të krijuar kushtet e reformave të nevojshme e të frytshme.
Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet theksoi se mungesa e paqes, padrejtësitë, shkatërrimi i ambientit dhe shërbimet e pamjaftueshme shëndetësore të bazës, janë shkaqet kryesore të urisë në shumë vende të varfëra, pa harruar këtu edhe sjelljet e vendeve të pasura që shfrytëzojnë pasuritë e vendeve të varfëra, pa kurrfarë shpërblimi e pa i kushtuar vëmendje ekuilibrit ekologjik. Fenomeni i globalizimit – theksoi prelati – duhet ta bëjë familjen njerëzore edhe më të vetëdijshme se problemi i urisë mund të zgjidhet vetëm në saje të strategjisë së zhvillimit global, në të cilin marrin pjesë të gjitha vendet, për të mirën e mbarë njerëzimit, duke vënë gjithnjë në qendër njeriun e qelizën familjare. Kisha - kujtoi prelati – nuk është e thirrur të propozojë rrugëzgjidhje politike, ekonomike e teknike për përballimin e problemeve të shoqërisë por, në misionin e saj për t’ua kumtuar Lajmin e gëzuar mbarë kombeve, e ndjen veten shumë pranë atyre që jetojnë në varfëri, që vuajnë, që kanë uri, prandaj dëshiron t’i ndihmojë me të gjitha mjetet e saj. Kisha – përfundoi prelati – është gjithnjë gati t’i ndihmojë edhe ata që punojnë për të fuqizuar solidaritetin ndërkombëtar dhe për të promovuar drejtësinë ndërmjet popujve, posaçërisht ata që janë në kontakt të drejtpëdrejtë me popullsitë e varfëra, sepse për të uria në botë është shkandull i papranueshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.