Sot u shpall i Lum atë Mariano de la Mata Apariçio, meshtar agostinian, ‘mbrojtës
i fëmijëve dhe i të varfërve’.
(5.11.2006 RV)Sot në katedralen
e Shën Palit në Brazil, Kardianli Hosè Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për
Çështjet e Shenjtorëve, kryesoi Meshën solemne me ritin e lumnimit të Shërbëtorit
të Zotit Mariano de la Mata Apariçio, spanjoll, meshtar i Urdhërit Agostinian, i njohur
si mbrojtës i fëmijëve dhe i të varfërve. I lumi i ri lindi në vitin 1905 në Spanjë.
Në Urdhërin e Agostinianëve hyri në vitin 1921. Dhjetë vjet më vonë eprorët e nisën
për në Brazil e pikërisht në San Paolo, ku jetoi më se 50 vjet, ditë-natë në shërbim
të të varfërve. Vdiq në vitin 1983. Postulatori i Çështjes së Lumnimit të tij, Atë
Fernando Rojo shprehet kështu për jetën e të Lumit të ri: Përgjigje: -
Jeta e tij e gjatë kaloi kryesisht në Brazil, sidomos në qytetin e Shën Palit. Ishte
njeri përherë i gatshëm për t’u shërbyer të gjithëve: eprorëve, sivëllezërve, besimtarëve
të famullisë, nxënësve e ish-nxënësve, njerëzve pa strehë, fëmijëve të rrugës, të
sëmurëve, posaçërisht atyre që ishin në prag të vdekjes. Kryente shërbimin e infermierit
kudo që kishte të sëmurë, e sidomos në shtëpinë e tij rregulltare. Është model
jete për gjithë besimtarët, të cilëve u kujton se njeriu mund të arrijë majat e heroizmit
të krishterë edhe duke kryer detyrën e tij të përditshme.