2006-11-06 17:35:03

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa bëri thirrje për të ndaluar gjakderdhjen në Rripin e Gazës dhe nxiti reflektimin mbi realitetin e vdekjes.


(6.11.2006 RV)RealAudioMP3 Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI shprehu shqetësimin e tij të thellë për lajmet që vijnë nga Rripi i Gazës, posaçërisht për popullsitë civile, që vuajnë pasojat e akteve të dhunës. Duke theksuar se situata vijon të keqësohet, Ati i Shenjtë u bëri thirrje të gjithë besimtarëve të bashkojnë zërat në lutjen e Tij:
“… Hyj i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm, ndritua mendjet autoriteteve izraelite e palestinese, si dhe atyre të kombeve që kanë pergjegjësi të posaçme në Zonë, që të përpiqen për ta ndaluar gjakderdhjen, t’i shumfishojnë nismat e ndihmës humanitare e të favorizojnë rifillimin e bisedimeve të drejtpëdrejta, serioze e konkrete”.
Para lutjes mariane, Papa u ndalua tek përkujtimi liturgjik i të vdekurve, më 2 nëntor, duke reflektuar përsëri për vdekjen të cilën – pohoi Benedikti XVI – e ashtuquajtura shoqëri e mirëqenies kërkon shpesh herë ta zhdukë nga ndërgjegja e njerëzve, të zënë siç janë me shqetësimet e jetës së përditshme. E Papa kujtoi se, pavarësisht nga kënaqësitë që mund të kërkohen, për të harruar, humbja e njeriut të dashur na e kujton vazhdimisht vdekjen. E parë me syrin e mendësisë së zakonshme, vdekja na duket thellësisht armiqësore e krejt në kundërshtim me natyrën tonë, e cila dëshiron jetën e lumturinë. Por – ripohoi Papa – nuk duhet të harrojmë se Krishti e revolucionarizoi kuptimin e vdekjes. E këtë nuk e bëri vetëm me mësimin e tij, por duke e përballuar Ai vetë vdekjen. Biri i Hyjit u bë njeri, për të na hapur përsëri rrugën e shpresës. E Ati i Shenjtë përdori një shprehje të veçantë për të shpjeguar se: “Vdekja nuk është më ajo që ishte: i është hequr helmi”. Dashuria e Hyjit, që vepron në Jezusin, i dha një kuptim të ri gjithë jetës së njeriut, e kështu e shndërroi edhe çastin e rëndë të vdekjes.
Kush zotohet të jetojë si Krishti, çlirohet nga frika e vdekjes, që nuk i tregon më fytyrën tallëse armike, por, siç shkruan Shën Françesku në ‘Këngën e krijesave’, e shikon me fytyrën mike të ‘motrës’, për të cilën mund edhe ta bekojë Zotin me fjalët: “Lavdëruar qofsh, o Zoti im, për motrën tonë, vdekjen e trupit, nga e cila njeri i gjallë s’mund të shpëtojë”.
E Benedikti XVI, duke folur jashtë tekstit zyrtar, kujtoi themelin e fesë së krishterë, që Shën Françesku e shpreh kështu:
Mjerë ata që vdesin në mëkate mortare;
lum ata të cilët vdekja do t’i gjejë
në vullnesë tënde gjithëshenjte
përsè prej vdekjes së dytë
të keqe nuk do të kenë”.
Prandaj:
“Nuk duhet pasur frikë nga vdekja e trupit, na kujton feja: si jetuam, si vdiqëm, jemi me Zotin” - tha Papa.
Jeta njerëzore është kalim nga kjo botë tek Ati qiellor – vijoi Benedikti XVI – duke shtuar se vdekja e vërtetë, nga e cila duhet të kemi frikë, është ajo e shpirtit e duke kujtuar se kush vdes në mëkat mortar pa u penduar, duke këmbëngulur mendjemadhësisht në mospranimin e dashurisë së Zotit, vetpërjashtohet nga mbretëria e jetës. Prandaj Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët t’i luten Zojës së Bekuar që t’i ndihmojë të jenë gati për ta lënë jetën, për të banuar pastaj përjetësisht me Zotin.
Në çastin e përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, duke folur polonisht, Ati i Shenjtë kujtoi festën e Shën Karl Borromeut, kremtuar një ditë më parë, duke shpjeguar se ky përkujtim na fton ta kujtojmë reformatorin e madh të Kishës pas Koncilit të Trentit, së bashku me atë që vuri në jetë vendimet e Koncilit II të Vatikanit, Gjon Palin II; Karol Vojtilën.
Në gjuhën italiane, Papa përshëndeti posaçërisht besimtarët e Tainos dhe të sapo krezmuarit e famullisë kushtuar Shenjtorëve Simoni e Juda në Empoli, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit së bashku me famullitarin, katekistët e disa prindër.Në përfundim u uroi të gjithëve të dielë e javë të gëzuar!







All the contents on this site are copyrighted ©.