2006-11-06 17:41:38

Ndërmjet fesë e shkencës nuk ka kundërvënie. Kështu tha Papa para Akademisë Papnore të Shkencave.


(6.11.2006 RV)Mbledhja plenare e Akademisë Papnore të Shkencave me temë “Mundësia e shkencës për të parashikuar: saktësia e kufizimet”, përballoi probleme të ndërlikuara, që nga parashikimet metereologjike, tek ndryshimet klimaterike, parashikimi i tërmeteve, rënia e trupave qiellore, përhapja e papritur e epidemive masive, si gripi i shpendëve ose virusi Sars, etj.
Papa theksoi se progresi i shkencës e sidomos aftësia e saj për ta sunduar natyrën përmes teknikës, është lidhur nganjëherë me regresin përkatës të filozofisë, të fesë e deri të fesë së krishterë. Disa njerëz, në progresin e shkencës moderne e të teknikës shikojnë një nga shkaqet kryesore të shekullarizimit e të materializmit. E pse – pyetet – të kërkojmë autoritetin e Zotit mbi natyrën, kur shkenca ka treguar se është e aftë të bëjë të njëjtën gjë?
Njeriu – shpjegoi Papa - nuk mund të ketë një besim kaq rrënjësor e të pakushtëzuar në shkencën dhe në teknikën, sa të besojë se progresi shkencor e teknologjik mund të shpjegojë gjithçka e t’i realizojë plotësisht nevojat e tij shpirtërore e jetësore. Shkenca nuk mund t’u japë përgjigje shterruese pyetjeve më bazale të njeriut mbi kuptimin e jetës e të vdekjes, mbi vlerat e fundit e mbi vetë natyrën e progresit. Metodat shkencore të kërkimeve – tha Papa, duke cituar Koncilin II të Vatikanit – mund të shtrembërohen aq, sa të bëhen normë e kërkimit të së vërtetës, duke krijuar rrezikun që njeriu t’u besojë tepër zbulimeve të sotme, të mendojë se i mjafton vetvetes e të mos kërkojë vlera më të larta.
Benedikti XVI ngriti kështu problemin e përgjegjësisë etike të shkencës: përfundimet e saj – vijoi Ati i Shenjtë – duhet të udhëhiqen nga respekti për të vërtetën dhe nga vetëdija e ndershme mbi kufizimet e pashmangshme të metodës shkencore. Sigurisht – tha Ati i Shenjtë – kjo do të thotë t’i shmangësh parashikimet e panevojshme alarmante, kur nuk mbështeten mbi të dhëna të mjaftueshme, por do të thotë të shmangësh edhe të kundërtën, dmth heshtjen e shkaktuar nga frika përballë problemeve të vërteta.
Më pas Papa foli për rolin e shkencëtarëve në formimin e opinionit publik, rol që nuk duhet dobësuar nga nxitimi i paligjshëm ose nga kërkimi i publicitetit të cektë. Duke cituar Gjon Palin II, Benedikti XVI vërejti se shkencëtarët pikërisht sepse dinë më tepër se të tjerët, janë të thirrur të shërbejnë më shumë se të tjerët, duke i përdorur me urti njohuritë e tyre, për të mirën e mbarë familjes njerëzore.
Ati i Shenjtë nënvizoi edhe shpresat e njerëzimit për parandalimin e kërcënimeve të vazhdueshme të ambientit, që vënë në lojë jetën e popullsive të tëra si dhe nevojën urgjente për zbulimin e burimeve të tjera energjitike të sigurta, në përdorim të të gjithëve. Në këtë veprimtari shkencëtarët – kujtoi Ati i Shenjtë – do të kenë gjithnjë mbështetjen e Kishës, por pa harruar kurrë se shkenca nuk duhet t’i kundërvihet jetës dhe dinjitetit të njeriut.
Së fundi – theksoi Papa – ka edhe një nivel më të lartë, që qëndron mbi të gjitha parashikimet shkencore, dmth bota njerëzore e lirisë dhe e historisë. Ndërsa fenomenet fizike mund të kenë zhvillimin e tyre hapësinor-kohor, vetëm njerëzimi ka një histori, historinë e lirisë së vet. Liria, ashtu si arsyeja – nënvizoi Ati i Shenjtë – është pjesë e çmuar e shembëlltyrës së Zotit në ne e nuk mund të kufizohet kurrë në një analizë deterministike. Transhendenca e saj, në krahasim me botën materiale, duhet njohur e respektuar, sepse është shenjë e dinjitetit tonë njerëzor. Ta mohosh këtë transhendencë në emër të aftësië së supozuar të metodës shkencore për ta parashikuar e për ta kushtëzuar botën njerëzore – përfundoi Ati i Shenjtë – do të shkaktonte humbjen e asaj që është njerëzore tek njeriu dhe mungesën e njohjes të unicitetit e të transhendecës, gjë që mund të krijojë rrezikun për t’i hapur portën shfrytëzimit të tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.