Duke shfletuar kalendarin e 6 nëntorit, Kisha katolike përkujtoi Shën Leonardin nga
Noblak.
(6.11.2006 RV)Shenjti lindi në Gali në fillim të shekulit VI, në kohën kur
sundonte perandori Anastas. Prindërit e tij ishin fisnikë e miq të mbretit Klodoveo,
që e mbajti Leonardin në pagëzim. U rrit i rrethuar nga kujdeset e famijarëve, që
dëshironin të ndiqte karrierën ushtarake. Por Leonardi nuk pranoi e u vu në shërbim
të Shën Remigjit, kryeipeshkëv i Reimsit. Prelati kishte lejë nga mbreti për të kërkuar
lirimin e të burgosurve që do të takonte. Kjo leje iu dha edhe Leonardit, i cili arriti
të lirojë një numër të madh fatzinjsh që vuanin ndër pranga e t’i kthente në rrugë
të mbarë. Kështu fama e tij nisi të përhapej kudo, aq më tepër kur, në vend që të
pranonte dinjitein ipeshkvnor, ofruar nga mbreti Klodove, la gjithçka e u nis përmes
pyjeve për të gjetur një strehë vetmitare. Duke u endur pyjeve të Pavumit, takoi mbretëreshën,
të cilën e kishin zënë papritmas dhimbjet e lindjes, në sa kthehej në kështjellë nga
një shtegtim i gjatë. Lutja e shenjtit e ndihmoi ta kapërcente këtë situatë të vështirë
e të nxirte në dritë një djalë të bukur. Për t’i shprehur mirënjohjen, Klodoveu i
dhuroi Shenjtit një pjesë të pyllit. Aty Leonardi ndërtoi kuvendin e dëshiruar, themeloi
një uratore për nder të Zojës së Bekuar, lartoi një elter kushtuar Shën Remigjit
e hapi edhe një pus, që u mbush me ujë në mënyrë të mrekullueshme. Aty jetoi derisa
vdiq në Noblak (Limozhë), më 6 nëntor të një viti të papërcaktuar, aty nga gjysma
e shekullit VI. Nderohet në mbarë Evropën si Pajtor i minatorëve.