2006-11-04 15:55:27

Të vdekurit kanë nevojë për lutje: kështu u shpreh Papa në Meshën për shpirt të kardinajve e të ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit.


(4.11.2006 RV)RealAudioMP3 Sot, në Elterin e Katedrës në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa kryesoi Meshën shenjte për shpirt të kardinajve e të ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit, në bashkëkremtim me shumë kardinaj të Kolegjit Kardinalor. Ishin të pranishëm ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, familjarë të të vdekurve dhe shumë përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Sipas traditës, Papa lexoi emrat e 8 kardinajve të vdekur gjatë këtij viti, ndërsa emrat e ipeshkvijve që kanë ndërruar jetë kohët e fundit ishin të shkruar në libretin e Meshës.
Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë kujtoi praktikën fisnike të lutjes për shpirtin e të dashurve që e kanë lënë këtë botë. Ata që vdekja i ka thirrur të kalojnë nga koha në amshim – theksoi Ati i Shenjtë - kanë nevojë për lutjet tona, që na kujtojnë besimin në ngjalljen e të vdekurve.
Në vijim Papa komentoi fragmentin biblik të Ezekielit Profet, që përshkruan një fushë plot me eshtra të thata, të cilat rifitojnë jetën, sapo hyn në ta shpirti i Zotit, që vjen nga të katër anët e botës. E ky është hapi i parë drejt besimit në ringjalljen e të vdekurve. Ky besim përmbushet më pas në Besëlidhjen e Re. Në dritën e misterit të Pashkëve të Krishtit, vegimi i eshtrave të thata fiton vlerën e një shembëlltyre universale mbi gjininë njerëzore, që shtegton në mërgimin tokësor, nën zgjedhën e vdekjes. Në mbarim të jetës shkëputemi nga çdo gjë tokësore, humbasim gjithçka na lidhte me këtë jetë, por jo hirin për virtyt të të cilit jemi të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me misterin e Krishtit. Kur Fjala hyjnore, e mishëruar në Jezusin, erdhi të banojë në botë, i solli njerëzimit lajmin e gëzuar të jetës së pasosur. Ky lajm shprese arrin deri në thellësinë e varreve, në sa hapet përfundimisht rruga që çon në Tokën e premtuar – tha Papa - dhe në vijim theksoi:
“Të njohësh Krishtin do të thotë të njohësh Atin e të njohësh Atin do të thotë të hysh në bashkim real me vetë Zanafillën e Jetës, të Dritës, të Dashurisë. Kështu të vdesësh nuk do të thotë të mbarosh, por të arrish në cakun e dëshiruar, në atdheun qiellor”.  







All the contents on this site are copyrighted ©.