2006-11-04 16:13:36

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar:


(5.11.2006 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXXI të kohës gjatë vitit kishtar. Përkujtoi edhe Shenjtorët Domnini, Teotimi dhe shokët e tyre martirë.
Nesër, e hënë, do të kremtojë festën e Shën Leonardit eremit, që na kujton se kujdeset tona të përditshme nuk duhet të na pengojnë të ecim në gjurmët e Zotit, përkundrazi, duhet të na nxisin ta ndjekim më besnikërisht, edhe kur na duhet të mbartim kryqin e rëndë të provave, sepse atëherë mund të quhemi vërtetë nxënës të Zotit.
Festa e Shën Ernestit, që do të kremtohet të martën, na kujton se nuk duhet të presim shpërblim për të mirat që bëjmë në këtë jetë. Në se bëjmë mirë pa kurrfarë interesi, jemi të sigurtë se na pret shpërblimi hyjnor.
Të mërkurën Kisha katolike do të kremtojë Shën Adeodatin I papë si dhe Shenjtorët e Martirët, reliket e të cilëve pushojnë në paqe në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Na kujtojnë se ta kesh zemrën të lirë, nuk do të thotë t’i shembësh urat që të lidhin me të gjithë e me gjithçka, të jetosh sikur të tjerët të mos ishin, por do të thotë t’u japësh të gjitha gjërave peshën e drejtimin e duhur. Kështu mund të bëhemi nxënës që ulen për të mësuar çdo ditë në bankat e shkollës së Zotit.
Në festën e Kushtimit të Bazilikës së Lateranit në Romë të enjten e ardhshme, liturgjia na kujton se ky tempull është katedralja e ipeshkvit të Romës dhe Kisha nënë e të gjitha Kishave romake e, sidomos, se tempujt e ndërtuar nga duart e njeriut janë në shërbim të gurëve të gjallë, dmth të Kishës që secili nga ne është i thirrur ta ndërtojë në zemër të vet, së bashku me të gjithë vëllezërit.
Të premten e ardhshme, festa e Shën Leonit të madh, papë e doktor i Kishës, na kujton se po të ecim sipas shembullit të atyre që e morën seriozisht mesazhin ungjillor, duke flijuar jetën për të gjithë, mund të shpëtojmë nga çdo lloj skllavërie e të drejtohemi nga të mirat e amshuara, që na janë premtuar.
Të shtunën do të kremtohet festa e Shën Martinit, ipeshkëv i Turit dhe Shën Bartolomeut, abat i Grotaferratës. Na kujton se kush jeton për Zotin, dhuron gjithnjë me duar plot e nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.







All the contents on this site are copyrighted ©.