2006-11-04 18:16:00

Meditim : ‘Varri i zemrës’.


(5.11.2006 RV) RealAudioMP3 Vëlla, në se vjen të vizitosh varrin tim, mos harro arkivolin tënd. Kujtoje, por pa dhimbje: nuk është e drejtë të hidhërohesh, në sa nisesh drejt bashkimit me Zotin. Pas vdekjes sime, mos e kërko varrin tim mbi Tokë: varri im është ndër zemrat e atyre që dinë të duan, që më deshën, që vijojnë të më duan.
Shumë monumente përkujtimore na vijnë ndër mend këto ditë. Por ne sot po ndalemi pranë tyrbes së poetit të madh mistik mysliman të shekullit XII, Xhelaledin Rumiu në Konia të Turqisë. Aty lexojmë fjalët që ai vetë i pati zgjedhur si epitaf për varrin e vet. Po i kujtojmë në muajin kushtuar përkujtimit të të vdekurve, sepse janë plot me atë besim, të cilin e bën më të qartë drita e shpresës së krishterë
Nga varri i poetit mistik mysliman vijnë deri tek ne dy mesazhe: “Natyrisht ndarja me njeriun e dashur shkakton dhimbje, shoqërohet me lot të hidhur. Por, në sa sytë tanë përloten, mësuesi (siç quhej Poeti mistik) na qorton, duke na kujtuar se besimtari, si të ketë kapërcyer pragun e vdekjes, pritet nga Ai që e pati krijuar. Nuk është, prandaj e rastit një lutje e vjetër myslimane, që thotë: “Ja, vdekja nuk është gryka e varrit, por takimi me Zotin në shtëpinë e mbretërisë së Tij”.
E mesazhi i dytë: ‘Sigurisht secili dëshiron të ketë një varr të bukur për vete e për të dashurit. Por varri më i bukur është në zemrën e atij që na ka dashur. Zemra që vijon të na dojë edhe kur nuk jemi më, nuk është rrasë e ftohtë mermeri. Është strehë e ngrohtë, plot dashuri, ku ne vijojmë të jetojmë, të duam e të duhemi!
E pas mesazhit të poetit mysliman, po shkojmë mbas mureve të Rrëmajit, te Zalli i Kirit në Shkodër, për të kujtuar patriotët e pushkatuar me një poezi të Anton Çefës:
PAX VOBIS !
“Pax vobis ’, kufoma jetësh të zhgënjyeme!”
Pëshpërisin gjuhët e blerta të selvive
E shelqeve u ranë gojët
Në litani mortore pa mbarim.

Mbi eshtna martirësh randojnë
E dridhen prej pezmi gurët e zajeve,
Kullojnë helm kaltërsitë.







All the contents on this site are copyrighted ©.