2006-11-03 16:16:05

Kryeministri i Kosovës në Malin e Zi: pavarësi me prani ndërkombëtare. Vizita e parë zyrtare.


(03.11.06 RV)Kryeministri i Kosovës Agim Ceku ishte sot për një vizitë në Podgoricë ku është takuar me zyrtarë të lartë të Malit të Zi. Çeku, pas takimit me kryeministrin në largim Milo Gjukanoviq, ka deklaruar në një konferencë të përbashkët për gazetarë se shpreson që Kosova të bëhet e pavarur me një prani të lehtë ndërkombëtare, ku do të garantohen të drejtat e pakicave. Kryeminisrti i Kosovës ka biseduar për refugjatët që ndodhen në Mal të Zi dhe ka kërkuar nga Podgorica të hapë një zyrë diplomatike në Prishtinë. Gjukanoviq ka deklaruar se për Malin e Zi është e pranueshme çfarëdo zgjidhje që arrin nga Beogradi, Prishtina dhe faktori ndërkombëtar. Gjatë paradites së sotme, në qendër të Podgoricës, ka protestuar lideri i Partisë Popullore Serbe Andrija Mandiq bashkë me dhjetra qytetarë.


Gazeta britanike "Ekonomist", në një analizë të saj, vlerëson se referendumi që u zhvillua dhe zgjedhjet në pritje në Serbi janë pjesë e strategjisë së Beogradit, për te shtyrë vendimin mbi të ardhmen e Kosovës. Sipas gazetës dinamica e ngjarjeve do të jetë kjo: "Kur të përfundojnë zgjedhjet në Serbi, i dërguari për statusin Marti Ahtisari, do të paraqesë propozimin për statusin, thelbi i të cilit do të jetë sovraniteti i kufizuar. Do të marrë në të vërtetë fuqinë një përfaqësues civil ndërkombëtar, i cili do të jetë i autorizuar nga bashkësia ndërkombëtare të qeverisë vendin”. Parlamenti i Kosovës, sipas të gjitha gjasave – vazhdon gazeta - do të shpallë pavarësinë, dhe shumë shtete mund ta njohin atë. Pjesa veriore e Kosovës do të injorojë shpalljen e pavarësisë dhe do të vazhdojë të funksionojë si pjesë e Serbisë. A do të zhvillohen apo jo ngjarjet në këtë mënyrë, këtë do ta tregojë koha.


Qeveria serbe mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës dhe propozon vetëm një “autonomi të zgjeruar”. Konfirmimi vjen nga vetë kryeministri serb Vojisllav Koshtunica, pas takimit me zv.kryeministrin italian Françesko Ruteli, i cili ishte dje për vizitë në Beograd.
Serbët falenderuan Italinë për lehtësimet që Roma ka sjellë në dhënien e vizave dhe për kërkesën e rifillimit të negociatave për asociim-stabilizimin ndërmjet Beogradit dhe Bashkimit Evropian, çuar nga qeveria italiane në instancat më të larta evropiane.


Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov bisedon në Bruksel me homologët e tij të vendeve të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në kuadër të takimit të rregullt të Këshillit të Përhershëm për partneritetin mes BE-së dhe Rusisë do të bisedohet edhe për çështjet problematike në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik. Zyrtarët e Rusisë pretendojnë se zgjidhja për Kosovën do të ndikojë në zgjidhjen e problemeve të ngjashme për shembull në Oseti apo Ceçeni.


Ish-komandati serbo-boshnjak Marko Samarxhija, 70 vjeç, është dënuar me 26 vjet burg nga një gjykatë e Bosnjës. Akuza: krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit ballkanik të viteve ’90. Samarxhija urdhëroi më 10 korrik 1992, ekzekutimin në masë të rreth 200 myslimanëve në Brkiçi, fshat në verilindje të Bosnjës.
Gjykatësit dënuan gjithashtu më 12 vjet burg serbo-boshnjakun Nikolla Kovaçeviç, 38 vjeç, me akuzën e vrasjes, torturimit dhe persekutimit të myslimanëve e kroatëve në periudhën prill-gusht 1992.







All the contents on this site are copyrighted ©.