2006-11-03 17:08:55

Duke shfletuar kalendarin, Kisha përkujtoi të Lumin Pio Kampideli.


(3.11.2006 RV)RealAudioMP3 “Vëllau Pio e gjeti vlerën themelore të jetës së tij rregulltare pikërisht në dhurimin e plotë të vetvetes. Ata që jetuan pranë tij e vërejtën këtë tipar kryesor të shpirtit të rregulltarit posaçërisht para vdekjes”: kështu u shpreh Gjon Pali II kur e lumnoi Fratel Pion e Shën Luigjit më 17 nëntor 1985.
Piu lindi në Trebio, pranë Riminit, në Itali, më 29 prill 1868. Ishte vetëm 8 vjeç kur i vdiq i jati. E që në atë moshë kishte nisur ta tërhiqte fort misteri i Hyjit. Nisi të lutej me orë të tëra e më pas u bë katekist.
12 vjeç, pasi kishte dëgjuar predikimin e dy misionarëve Pasionistë, u mahnit aq shumë nga zelli i rregulltarëve, sa shkoi menjëherë në Shtëpinë e Shën Vitos për të hyrë në Kongregatën e tyre. Eprorët e këshilluan të priste edhe pak, sepse ishte akoma tepër i vogël. Ai priti, por pa hequr dorë nga ëndrra e vetme e jetës së tij. Më 2 maj të vitit 1882 hyri në kuvend e më 30 prill 1884 bëri kushtet rregulltare. Lidhur me këtë, Gjon Pali II pohoi: “Si hyri në Kongregatën e Pasionistëve, gjeti aty një atmosferë të favorshme për të realizuar dëshirën më të madhe, për të jetuar në bashkim shpirtëror me Zotin e për t’i tërhequr edhe të tjerët në këtë rrugë gjatë ushtrimit të misionit të lartë meshtarak”.
Ishte i dashuruar me Eukaristinë, me Virgjërën Mari dhe me të Kryqëzuarin. Kushti pasionist për të kujtuar vazhdimisht Mundimet e Krishtit, e bëri ta vërë gjithë jetën në shërbim të vëllezërve, sidomos të atyre që kishin më shumë nevojë për mbështetje e ngushëllim,
Deshi me gjithë zemër të bëhej meshtar, por me që u sëmur nga tuberkulozi, nuk mundi ta realizonte këtë dëshirë. Gjatë sëmundjes përsëriste shpesh “E dhuroj me gëzim jetën për Kishën, për Papën, për Kongregatën, për pendimin e mëkatarëve e posaçërisht, për të mirën e Romanjës sime të dashur”. Vdiq më 2 nëntor 1889. Salikimet e tij i ndoqi një turmë jashtzakonisht e madhe. Në vitin 1923 trupi i Vëlla Pios u mbart në Shenjtëroren e Shën Marisë të Kazales.







All the contents on this site are copyrighted ©.