2006-11-02 16:13:19

Përkujtimi i të vdekurve – intervistë me kryeipeshkvin Komastri.


(2.11.2006 RV)RealAudioMP3 Një ditë pas kremtimit të Gjithë Shenjtorëve, sot, më 2 nëntor, Kalendari liturgjik na fton të kujtojmë besimtarët e vdekur. Pse Kisha i kremton pranë e pranë këto dy festa? Ç’lidhje ka ndërmjet tyre? Pyetëm për këtë kryeipeshkvin Angelo Komastri, vikar i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për Qytet-Shtetin e Vatikanit, në mikrofonin e Radios sonë:
Pyetje: - Njëherësh me solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, nesër, më 2 nëntor, në Kalendarin liturgjik gjejmë edhe Përkujtimin e të vdekurve .
Përgjigje: - Është e qartë se së bashku me Shenjtorët e Parajsës, kujtojmë edhe ata që drejtohen nga Parajsa, që janë në Purgator e Purgatori nuk është, thënë simbolikisht, botimi i dytë i Ferrit. Purgatori është shtëpia e gëzimit, sepse - paradhomë e Parajsës. Më kujtohet famullitari im i vjetër, që thoshte se Purgatori është si një kurs i gjatë ushtrimesh shpirtërore, para se të pranohemi në festën e shenjtorëve. Ata që janë në pritje të Parajsës, gjithë të vdekurit që i përkujtojmë më 2 nëntor, janë njerëz që jetojnë në bashkim me ne. Ne mund të lutemi për ta e ata për ne. Prandaj është prekëse ta kujtosh edhe këtë pjesë të dytë të shoqërisë së shenjtorëve, dmth të kujtosh të gjithë shpirtrat që nuk janë në festën e plotë të Parajsës, por presin akoma në paradhomë. Ta ndjesh bashkimin me ta, të lutesh për ta e të dish se edhe ata mund të ndërmjetësojnë për ne, edhe kjo është një arsye që na shtyn të mos ndjehemi kurrë të vetmuar.
Pyetje: - Shkelqësi, ne sot jetojmë në një shoqëri që kërkon me të gjitha mënyrat ta harrojë vdekjen: si ju duket juve kjo prirje të shoqërisë sonë?Përgjigje: - Frika nga vdekja ndjehet kur njeriu nuk ka përgjigje para misterit të vdekjes. Në se mendon se vdekja është një zhytje në errësirë, atëherë sigurisht që të tremb; në se nuk shikon asnjë rreze drite që vjen nga jeta e përtejme, atëherë sigurisht që jeta e përtejme të tmerron. Por kur e di se vdekja është vetëm një prag, se vdekja nuk është fund, se vdekja është fillim, është si porta e hyrjes në një shtëpi të re, ndryshon puna. Kur fitojmë sigurinë për këtë të vërtetë, të ndritur nga feja, vdekjen mund ta thërresim qetësisht “motra vdekje”, siç e pati quajtur Shën Françesku. Për fat të keq, shoqëria jonë është tepër e lidhur me të sotmen, me jetën e përkëndejme, por jeta e këndejme nuk mund të jetë gjithçka që kuptojmë me fjalën jetë, nuk mund të jetë gjithë jeta. Kishte të drejtë Nënë Tereza kur thoshte: “Më e bukura nuk ka ardhur akoma”. I krishteri, që i di këto të vërteta, e shikon vdekjen me qetësinë më të madhe. Kush mendon si një shkrimtar bashkëkohor, që mbahet si nga më të mëdhenjtë, i cili thotë: “Mendoj se roli i sojit tim nuk është më i lartë se ai i bletëve, i milingonave ose i harabelave”, sigurisht që ka tmerr nga vdekja. Në sa ne e dimë se jeta e njeriut është e lartë, mbart në vetvete farën e amshimit. E ne kemi kohë, në sa jemi ende gjallë, të vendosim cilin amshim të zgjedhim: amshimin e pranimit të Zotit, apo amshimin e mospranimit të Zotit? Amshimi i pranimit të Zotit është Parajsa, përjetësia, ndërsa ai i mospranimit të Zotit, është Skëterra, sepse njeriu pa Zot është i parealizuar; pa Zot, njeriu është i zbrazur, është plotësisht i palumtur.







All the contents on this site are copyrighted ©.