2006-10-31 17:44:13

Solemniteti i ‘Gjithë Shenjtorëve’: Benedikti XVI do të kryesojë Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit.


(31.10.2006 RV)Nesër, në solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, duke nisur nga ora 10.00, Papa do të kryesojë Meshën në bazilikën e Shën Pjetrit. Për këtë arsye nuk do të mbahet audienca e zakonshme e përgjithshme e së mërkurës, duke ia lënë vendin përkujtimit të një solemniteti që na fton të gjithëve të ecim në rrugën e shenjtërisë. E Benedikti XVI që në fillim të papnisë së tij u ka kujtuar shumë herë besimtarëve se janë të thirrur të ecin në këtë rrugë.
Shenjtorë – shpjegon Papa – janë ata që kanë guximin të lenë gjithçka, për t’u bërë ‘miq të Jezusit’. Janë pikërisht ata që na bëjnë të shikojmë se feja nuk është një grumbull ndalimesh, një seri ‘jo’-shë ose predikimesh të trishtuara moralistike. Në të vërtetë, feja është rrugë e zgjedhur me vullnet të plotë e me gëzim: lihet diçka, sepse është gjetur diçka më e mirë. Shitet gjithçka, për të blerë një thesar me vlera të pakrahasueshme: e ky thesar është takimi me vetjen e Jezusit; është takimi i syve tonë njerëzorë me sytë plot dashuri të Krishtit, që i hapin jetës horizont të ri, që tregojnë rrugën vendimtare të shenjtërisë e të amshimit.
“Shenjti është ai që mahnitet nga bukuria e Zotit e nga vërtetësia e tij e përkryer aq, sa dalë-nga-dalë, shndërrohet plotësisht. Për këtë bukuri e vërtetësi, është gati të heqë dorë nga gjithçka, edhe nga vetvetja. I mjafton dashuria e Zotit, të cilën e provon në shërbimin e përvujtë e pa interes ndaj të afërmit, posaçërisht ndaj atyre prej të cilëve nuk pret kurrfarë shpërblimi”.
Kështu u shpreh Papa në homelinë e Meshës së 23 tetorit 2005, kur shpalli pesë shenjtorë të rinj.
Të bëhesh shenjt – nënvizon Benedikti XVI- në të vërtetë do të thotë të realizosh plotësisht atë që jemi, d.m.th bij të Zotit: në saje të vdekjes e të ngjalljes, Jezusi bëri shndërrimin më të madh që është vërejtur ndonjë herë, duke na krijuar mundësitë që, përmes hirit, të marrim pjesë në vetë jetën e Zotit. Nuk jam më unë që jetoj – thotë Shën Pali – por është Krishti që jeton në mua!
Shenjtorët - pohon Papa - nuk mund ta mbajnë për vete gëzimin e madh të takimit me Zotin, por dëshirojnë t’ua transmetojnë edhe të tjerëve bukurinë e fesë: e këtë e bëjnë me përvujtëri e paqe, me mëshirë e vërtetësi e me atë forcë plot butësi, që buron nga bashkimi me Krishtin, duke dëshmuar kështu se kush beson, nuk është kurrë i vetëm.
Kujtojmë se Festa e të Gjithë Shenjtorëve u përhap në mbarë Evropën, duke filluar nga shekulli VIII, për t'i kujtuar tërë të krishterëve thirrjen e tyre: të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit, të synojnë shenjtërinë e të kenë si ideal, përsosurinë.E rrugët e shenjtërisë janë të panumërta, në përkim me thirrjen e secilit besimtar, ndërsa vetë shenjtëria është masa më e lartë e jetës për çdo të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.