2006-10-30 17:28:24

Në Engjëllin e Tënzot Papa i ftoi besimtarët të rizbulojnë vlerën e Pagëzimit. Pastaj kërkoi lirimin e njerëzve të rrëmbyer në botë dhe njoftoi pjesëmarrjen në takimin e të rinjve italianë, në Loreto më 2007.


(30.10.2006 RV)RealAudioMP3 ‘Rizbulimi i vlerës së pagëzimit është bazë për impenjimin misionar të çdo të krishteri’: këto fjalë nxitëse u drejtoi Papa gjithë të krishterëve të mbledhur dje me shumicë në Sheshin e Shën Pjetri, nën rrezet e një dielli të nxehtë veror. Ati i Shenjtë uroi të shtohet gjithnjë më shumë numri i misionarëve të Ungjillit.
Papa është pranë atyre që vuajnë për shkak të dhunës, në sa u bën thirrje rrëmbyesve t’i lirojnë sa më shpejt njerëzit e rrëmbyer. Është një thirrje që u përgjigjet kërkesave të shumta për të ndërhyrë, që i arrijnë nga të katër anët e botës:
“Ndërsa e dënoj përsëri ashpërsisht këtë krim, ju siguroj se lutem për të gjitha viktimat e tij si dhe për familjarët dhe miqtë e tyre. Posaçërisht bashkohem me thirrjen që më drejtoi kohët e fundit kryeipeshkvi i bashkësisë së Sasarit në favor të zotit Gjovani Batista Pina, rrëmbyer më 14 shtatorin e kaluar, që të kthehet sa më shpejt në gjirin e të dashurve”.
Përmes emrit të Gjovani Batista Pinës, Papa deshi të kujtojë posaçërisht viktimat që rrezikohen të harrohen, sepse mjetet e komunikimit masiv nuk merren me ta.
Para kësaj thirrjeje, Benedikti XVI, duke komentuar Ungjillin e djeshëm kushtuar shërimit të të verbërit të Jerikos, ripohoi se Zemra e Krishtit preket thellë nga vuajtja e njerëzve. Në ngjarjen që tregon shërimin e Bartimeut të verbër – vijoi Ati i Shenjtë – çasti vendimtar është pikërisht ai i takimit personal, të drejtpërdrejtë të Zotit me këtë njeri që vuante.
Ndodhen njëri përballë tjetrit: Zoti me dëshirën për ta shëruar e njeriu me dëshirën për t’u shëruar. Dy liri, dy vullnete që përkojnë: “Ç’ dëshiron të bëj për ty?” - e pyet Zoti. “Të më kthehet drita e syve” - përgjigjet i verbëri. “Shko, feja jote të ka shpëtuar”. Me këto fjalë bëhet mrekullia. Gëzimi i Zotit e gëzimi i njeriut!”.
I dalë përsëri në dritë - vijoi Papa – Bartimeu bëhet nxënës i Krishtit e ngjitet së bashku me Mësuesin në Jeruzalem për të marrë pjesë në misterin e madh të shëlbimit. Ky rrëfim – vijoi Benedikti XVI – na kujton rrugën e katekumenit drejt sakramentit të Pagëzimit, që në Kishën e lashtë quhej “Ndriçim”.
“Feja është shtegtim ndriçimi: niset nga përvujtëria e njeriut që e pranon se ka nevojë për shëlbim dhe arrin në takimin personal me Krishtin, që e thërret ta ndjekë në rrugën e dashurisë”.
Papa vijoi të kujtonte se ndër viset që u ungjillëzuan në lashtësi, ku sakramenti i pagëzimit merret menjëherë pas lindjes, fëmijëve, të rinjve e të rriturve u propozohen takime katekizmi e përshpirtërie, që u krijojnë kushtet të ecin në rrugën e rizbulimit të fesë me pjekuri e vetëdije, për të pranuar, pastaj, impenjimin koherent të dëshmisë. Pas këtyre fjalëve, nxitja e fuqishme e Papës drejtuar barinjve e katekistëve:
Rizbulimi i vlerës së Pagëzimit tonë është në bazë të impenjimit misionar të çdo të krishteri, sepse në Ungjill shikojmë se kush e lë veten të mahnitet prej Krishtit, nuk mund të mos e dëshmojë gëzimin që buron nga ecja në gjurmët e Zotit. Në këtë muaj të tetorit, që i kushtohet posaçërisht misionit, e kuptojmë edhe më mirë se pikërisht përmes forcës së Pagëzimit, në shpirtin tonë buron thirrja e natyrshme për të qenë misionarë”.
Në përfundim Papa iu lut Virgjërës Mari që çdo i pagëzuar ta ndjejë se është i thirrur t’ua kumtojë të gjithëve dashurinë e Zotit, duke e dëshmuar me jetën e vet e që të shtohen gjithnjë më shumë misionarët e Ungjillit. Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI njoftoi se do të marrë pjesë në Takimin e madh të të rinjve katolikë në Loreto, që do të mbahet më 1 e 2 shtator të vitit të ardhshëm:
Pranë kësaj Shenjtëroreje të dashur mariane, do të jetojmë së bashku një çast hiri, në gëzimin e fesë e të perspektivës së misionit, duke u përgatitur kështu edhe për Ditën Botërore të Rinisë në Sidnei më 2008”.Para se të ndahej nga besimtarët, Papa i drejtoi një përshëndetje të posaçme Shoqatës së Motoçiklistëve të Forcave të Policisë, që iu përgjigjen me një uturimë simpatike të motoçikletave.







All the contents on this site are copyrighted ©.