2006-10-30 17:27:48

Benedikti XVI i porositi ipeshkvijtë grekë: dialog me ortodoksët dhe vëmendje e veçantë për thirrjet dhe punën baritore me emigrantët.


(30.10.2006 RV)RealAudioMP3 Sot në Greqi jetojnë 200 mijë katolikë, por vetëm 50 mijë janë të lindur në vend. Prej vitesh emigrimi i shqiptarëve, por edhe i irakianëve e filipinëve, pa llogaritur një numër të madh martesash të përzjera, ia ka ndërruar faqen Kishës vendase. Këtë theksoi Benedikti XVI në fillim të fjalimit që u drejtoi ipeshkvijve grekë, duke pohuar se bashkësitë katolike greke, të përqëndruara kryesisht në Athinë, ndryshojnë vazhdimisht. E ky ndryshim krijon probleme të reja baritore, që kërkojnë edhe rrugëzgjidhje të reja. Kështu u shpreh Benedikti XVI, duke dëshmuar se i njeh mirë shqetësimet e prelatëve të një grigje që rritet vazhdimisht me besimtarë rinj, të ardhur nga vende e kultura të ndryshme. Papa i këshilloi ipeshkvijtë të ndjekin rrugën e ballafaqimit e të dialogut si bazë për planifikimin e punës së tyre baritore, duke theksuar se duhet të jenë gjithnjë të gatshëm për të përmbushur nevojat shpirtërore të emigrantëve, numri i të cilëve vijon të rritet çdo ditë. E rruga e dialogut dhe e durimit - theksoi Papa - duhet ndjekur edhe në ballafaqimin me Kishën ortodokse, udhëheqjen e së të cilës, duke nisur nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Kristodulos, Papa e përshëndeti me përzemërsinë më të madhe, duke theksuar:
“Dëshirojmë të lutemi më shumë, që të vijë sa më parë dita e bekuar në të cilën do të mund ta thyejmë së bashku Bukën e të pijmë së bashku në të njëjtin kelk të shëlbimit tonë. Në rrethana të tilla, uroj që të hapen perspektiva gjithnjë më të mëdha për dialog ndërtimtar ndërmjet Kishës ortodokse të Greqisë dhe Kishës katolike si dhe të bëhen gjithnjë më të shumta nismat e përbashkëta shpirtërore, kulturore e praktike”.
Papa preku edhe dy pika të tjera të rëndësishme. Së pari i porositi ipeshkvijtë të tregojnë kujdesin më të madh për të rinjtë që janë thirrur të ecin në rrugën e jetës meshtarake e rregulltare. Së dyti, kujtoi tryezën e bisedimeve, në të cilën Kisha katolike greke ulet me institucionet kombëtare për të arritur në njohjen e një statusi juridik të përshtatshëm, në përkim me ligjshmërinë greke dhe atë evropiane:“Kisha katolike nuk kërkon asnjë privilegj – tha Ati i Shenjtë – kërkon vetëm t’i njihet identiteti dhe misioni i saj, që të mundet kështu të japë kontributin e vet për mirëqenien e plotë të popullit fisnik grek, të cilit i përkisni edhe juve. Me durim e duke respektuar procedurat e ligjshme, do të bëhet e mundur të arrihet, në sajë të impenjimit të të gjithëve, mirëkuptimi aq i uruar” – tha në përfundim Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.