2006-10-27 16:35:56

Fjalimi i imzot Miliores në OKB kushtuar zhvillimit ekonomik mbi bazën e respektimit të ambientit.


(27.10.2006 RV)Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe problemet që kanë të bëjnë me ruajtjen e ambientit, ishin në qëndër të fjalimi që mbajti imzot Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, para asamblesë së 61-të të përgjithshme të OKB-së.
Edhe në rrethana që karakterizohen nga nga ndryshimet e shpejta, ekonomia jonë vijon të zhvillohet duke u bazuar tek natyra. Këtë kujtoi në fillim të fjalimit të tij kryeipeshkvi Miliore, duke uruar, në vijim, që strategjitë në fushën energjitike të jenë të afta për të përmbushur nevojat me afate mesatare e të gjata e për të mbrojtur shëndetin e njeriut dhe të mjedisit.
Disa sisteme që e bëjnë të mundur mbijtesën në botë – shpjegoi kryeipeshkvi Miliore – janë dëmtuar ose shkatërruar në mënyrë të pandreqshme, duke e bërë në këto raste të papraktikueshme rrugën ekonomike. Prandaj – shtoi prelati – kur bëhet fjalë për ekonominë, shqetësimet ambientale nuk duhen shikuar si të dorës së dytë. Përkundrazi, politikanët duhet t’i konsiderojnë si bazë mbi të cilën mbështetet e gjithë veprimtaria ekonomike. Prandaj është e natyrshme të presim përgjigje për vënien në jetë të zotimeve që u morën në Samitin mbi Tokën në Rio-de-Zhanejro në vitin 1992 mbi krijimin e shtyllave ekonomike, ambientale e shoqërore për zhvillimin e qëndrueshëm – nënvizoi më pas Imzot Miliore – duke theksuar se shqetësimet e vërteta, që bota duhet t’i shikojë si përparësi, janë pasojat ambientale të veprimtarive tona ekonomike. Problemi ambiental – vijoi prelati – nuk është thjeshtë etik e shkencor, por edhe ekonomik e politik. Nuk mjafton vetëm integrimi i zhvillimit të qëndrueshëm ndër programet për kufizimin e varfërisë dhe rritjen ekonomike, por duhet të reflektohet edhe mbi problemet ambientale në strategjitë e sigurimit si dhe mbi çështjet humanitare në planet e zhvillimit në nivel kombëtar, zonal e ndërkombëtar.
Ndërmjet sinjaleve, që e bëjnë alarmant shkatërrimin e ambientit, prelati nënvizoi - në përfundim - shkretimin e tokës dhe thatësirën, që dëmtojnë rëndë sektorin bujqësor, nga i cili varen sidomos popullisitë më të varfërta. Kujtoi dhe problemin e përheshëm të ujit, që shpesh mungon, jo pse nuk mund të gjindet, por për shkak të pëdorimit të papërshtashëm të burimeve ujore.







All the contents on this site are copyrighted ©.