2006-10-26 16:16:26

Evropa të impenjohet për paqen, mbrojtjen e jetës njerëzore e zhvillimin: kështu u shpreh Papa në audiencën me ambasadorin e Belgjikës pranë Selisë së Shenjtë.


(26.10.2006 RV)Bashkimi Evropian të impenjohet për të promovuar paqen, për të mbrojtur jetën e njeriut dhe për të favorizuar politikat e integrimit të emigrantëve: këtë theksoi Benedikti XVI në audiencën me ambasadorin e ri të Belgjikës pranë Selisë së Shenjtë, Frank De Konink, të cilin e priti sot në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale.
Evropa është bërë forcë ekonomike, por edhe simbol shprese për shumë njerëz. Është e nevojshme, prandaj, të vijojë impenjimin në sfidat e mëdha të Planetit, duke marrë mbi vete rolin e mbrojtëses së paqes, sidomos në situata dramatike, si në Tokën Shenjte dhe në Irak, por edhe në Afrikë e në Azi. Me këto fjalë iu drejtua Papa ambasadorit të ri belg dhe në vijim ripohoi se bashkësia ndërkombëtare e veçanërisht Bashkimi Evropian duhet të mobilizohen vendosmërisht në favor të paqes, të zhvillimit e të dialogut ndërmjet kombeve. Më pas e siguroi diplomatin për impenjimin absolut të Selisë Apostolike në mbrojtje të paqes e të zhvillimit.
Duke lavdëruar impenjimin belg ndër misionet e paqes, posaçërisht në Afrikën qëndrore, Ati i Shenjtë kujtoi një sfidë tjetër për Belgjikën e për mbarë Evropën: ardhmërinë e njeriut dhe të identitetit të tij, përballë liberalizimit të zakoneve, gjë që ka bërë të shikohen si relative ato norma, të cilat konsideroheshin si të pacënueshme. Sot – vijoi të kujtojë Ati i Shenjtë - në shoqëritë perëndimore, që karakterizohen nga begatia e tepruar e të mirave materiale dhe nga subjektivizmi, njeriu gjindet përballë krizës që e çon në humbjen e kuptimit të jetës. Në disa vende – nënvizoi Papa – janë miratuar ligje që cënojnë respektimin e jetës njerëzore nga lindja deri në perëndimin e saj të natyrshëm. Jemi kështu para rrezikut që njeriu të përdoret si objekt për kërkime shkencore e për eksperimente, gjë që s’është tjetër, veçse atentat kundër vetë jetës njerëzore.
Kisha – tha Papa - dëshiron t’i rikujtojë të gjithëve besojmën e saj për njeriun dhe për fatin e tij të jashtzakonshëm. Në rrethana të tilla, kujtoi se së shpejti do të fillojë veprimtarinë një mision i episkopatit belg, nismë që ka për qëllim të ripohojë se dinjiteti i njeriut është një kufi moral i padukshëm, para të cilit progresi teknik duhet të përkulet. Nga ana tjetër kujtoi edhe impenjimin e ipeshkvijve të Belgjikës në favor të mjekimeve qetësuese, për t’i ndihmuar njerëzit që dëshirojnë të vdesin me dinjitet. Kisha – vijoi Papa – dëshiron t’i shërbejë gjithë shoqërisë, duke i treguar cilat janë kushtet që duhen përmbushur për ndërtimin e një ardhmërie të lirë e dinjitoze për njeriun. I ftoi, prandaj, udhëheqësit politikë t’i njohin mirë përgjegjësitë e tyre, kur u duhet të përballojnë probleme të tilla.
Së fundi Ati i Shenjtë u ndalua tek dialogu ndërfetar dhe tek emigracioni. Sot – konstatoi Shenjtëria e Tij, duke nënvizuar atë që theksoi edhe gjatë shtegtimit të tij apostolik në Bavari – prania gjithnjë më e madhe e emigrantëve të ardhur nga kultura e vende të ndryshme e bën absolutisht të nevojshëm dialogun. Është detyrë – tha Papa - të thellohet njohja reciproke, duke respektuar bindjet fetare të secilit dhe kërkesat e ligjshme të jetës shoqërore, në përkim me ligjet në fuqi. Prandaj duhet adoptuar një politikë emigracioni që pajton interesat e vendit ku drejtohen emigrantët me ato të përparimit të vendeve më pak të zhvilluara. Duhet ndjekur, prandaj, një politikë që synon integrimin e nuk krijon situata kundërshtimi apo ilegaliteti. Shmanget kështu rreziku i nacionalizmit të sëmurë ose i ksenofobisë dhe favorizohet zhvillimi i harmonishëm i shoqërive tona, për të mirën e të gjithë nënshtetasve.







All the contents on this site are copyrighted ©.