2006-10-25 16:57:01

Ipeshkvi i Tunizit pret pishtarin agostinian të dialogut.


(25. 10. 2006 RV)RealAudioMP3 Pishtari i dialogut vijon shtegtimin brigjeve të Mesdheut. Ndërsa bota islamike kremton përfundimin e Ramazanit, vravashka, që u nis pardje nga Algjeria drejt Italisë, për të kujtuar se mendimi i Shën Agostinit është urë ndërmjet kulturave, sot kapërceu kufirin me Tunizinë.
“Lavdia më e madhe është ta mbytësh luftën me dialog, e jo njerëzit me shpatë, ta mbrosh paqen me paqe, e jo ta ruash me luftë.” Kështu shkruante Shën Agostini në Letrën e 229-të. E si për të nënvizuar ftesën e tij për harmoni në atmosferën festive të Ditës së Bajramit, pishtari i përflakur i dialogut shtegtoi nga Algjeria në Tuniz, për të vijuar pastaj të ndrisë në brigje të tjera mesdhetare. I ndezur pardje në Souk-Ahras, Tagaste e lashtë, ku lindi Shën Agostini, pishtari, që po i rikujton njerëzve mesazhin e paqes të Ipeshkvit të Ipponës, arriti sot në viset e Kartagjenës së lashtë. Këtu Shenjti studioi e, si ipeshkëv i Iponës, në vitin 411, qe shpirt i pajtimit ndërmjet katolikëve dhe donatistëve, duke vendosur paqen e bashkimin në Afrikën Veriore.
Pishtari shoqërohet nga një delegacion italian në të cilin bëjnë pjesë shumë agostinianë. Ftuam, prandaj, provincialin e agostinianëve të Italisë, Atë Pjetro Belinin, në mikrofonin e Radios sonë:
Pyetje: - Atë, si është e mundur që mendimi i Shën Agostinit t’i kapërcejë kufijtë e ndryshimeve?
Përgjigje: - Agostini jetoi në një botë plot larmi. Ai diti të fillojë dialogun me kulturat e fetë e ndryshme, duke u nisur nga dy koncepte themelore. Koncepti i parë: të gjithë njerëzit janë të barabartë. Prej këndej, në se njeriu niset nga zemra e tij, nga kërkesat e tij, nuk është e vështirë të gjindet terreni i përbashkët për dialog. Parimi i dytë i Shën Agostinit niset nga fakti se Zoti është Ati i të gjithë njerëzve. Të gjithë janë pjesë e të njëjtit projekt. Prej këndej, brenda këtij projekti që ka Zoti për njerëzimin, mund të gjinden edhe mjetet për sigurimin e dialogut e të paqes”.
***
Mbartësit e pishtarit të dialogut, duke arritur në Tuniz, u takuan me ipeshkvin e vendit, imzot Maroun Laham, të cilit i dorëzuan një degë të këputur nga trungu i ullirit mbjellur në Tagaste, qytet i lindjes së Shën Agostinit, që në kohën kur lindi Shenjti. Ja si u shpreh prelati, në sa pishtari përshkohej në rrugët e dioqezës së tij:
Përgjigje: - Vështirë se mund të bëhej një zgjedhje më e mirë, sepse po jetojmë në një çast, kur ndjehet vërtetë nevoja për dialog e për paqe, e pikërisht në emër të Shën Agostinit, sepse të flasësh duke u nisur nga Shën Agostini, është diçka që pranohet nga të gjithë. Të flasësh për dialogun e paqen, ndërmjet Perëndimit e Lindjes, ndërmjet krishtërimit e islamit apo ndërmjet dy brigjeve të Mesdheut, do të thotë se ke prekur një temë tepër aktuale. Prandaj mund të themi se kjo është një nismë që i përgjigjet më së miri si rrethanave historike e gjeografike, ashtu edhe politike e fetare.
E ndërkaq kujtojmë se nesër fillon takimi i Konferencës ipeshkvnore të Veriut të Afrikës, ku do të flitet për sfidat që duhet të përballojë Kisha e krishterë gjatë viteve të ardhshme, për të cilat prelati shprehet kështu:
Përgjigje: - Gjatë punimeve të Konferencës do të përballojmë shumë sfida e e para - gjithnjë aktuale, është: si ta përkufizojmë misionin, që duhet përtërirë gjithnjë, të një Kishe, që nuk është vendase, në veri të Afrikës? Në vise që nuk do të kishin nevojë për neve, por ku prania jonë miratohet, vlerësohet e dëshirohet? 







All the contents on this site are copyrighted ©.