2006-10-25 18:09:08

3 milion e 35 mijë emigrantë në Itali; peticion i ushtarëve amerikanë për largimin nga Iraku e lajme të tjera.


(25.10.06 RV)RealAudioMP3 3milion e 35 mijë vetë: kaq janë emigrantët e pranishëm në Itali sipas Dosjes Statistike të emigracionit 2006 të Karitasit Italian dhe të Fondacionit kishtar Migrantes.
Takimi i sotëm, i mbajtur në Romë, për të paraqitur shifra e këndvështrime mbi botën e emigracionit është bërë i përvitshëm dhe është një nga momentet më të rëndësishme në këtë fushë në Itali. I pranishëm edhe kryeministri italian Romano Prodi, për të cilin politika e tanishme po orientohet drejt dhënies në kohë të shkurtra të nënshtetësisë për emigrantët. Kësaj radhe paraqiti dhe koordinoi punimet, Rando Devole, sociolog shqiptar me banim në Itali. Disa nga pikat që u përmendën në diskutimet e mbajtura kanë të bëjnë me përshpejtimin e procedurave burokratike për rinovimin e lejeve të qëndrimit, përmirësimin e ligjit në fuqi mbi emigracionin, sidomos përsa i përket hyrjes së emigrantëve në Itali, rritjen e burimeve financiare që shërbejnë për përfshirjen e emigrantëve në jetën politike dhe shoqërore të vendit.

U hap sot paradite në Romë, në Pallatin e Organizatës Botërore të Ushqimit, Kongresi botëror mbi komunikimin për zhvillim, në të cilin marrin pjesë si operatorë të mediave, ashtu edhe përfaqësues të politikës e të shoqërisë civile, ekspertë të zhvillimit, donatorë, eksponentë të bashkësive të ndryshme dhe akademikë. Objektivi i përbashkët është promovimi i kulturës së solidaritetit. Lufta kundër varfërisë – siç shpjegoi drejtori i përgjithshëm i Organizatës, Zhak Diëf – ka nevojë edhe për reduktimin e boshllëkut informatik që ndan të pasurit e të varfërit e këtij planeti.

Etiopia është teknikisht në luftë me Kohortat islamike që kontrollojnë pjesën më të madhe të Somalisë. Kështu deklaroi kryeministri etiopik Meles Zanaui, duke marrë hapur anën e Qeverisë somale të tranzicionit me seli në Baidoa. Kryeministri u shpjegoi gazetarëve nga e gjithë bota se është e nevojshme një ndërhyrje e shpejtë në vend. Kontingjenti etiopik në Somali është i përbërë vetëm nga disa qindra njerëz me funksione stërvitjeje. Kriza aktuale vë në rrezik rifillimin e bisedimeve ndërmjet fraksioneve somale në konflikt, bisedime që zhvillohen në Khartum të Sudanit.

Vazhdon të rritet bilanci i të rënëve amerikanë në Irak. Dy ushtarë të tjerë janë vrarë gjatë këtyre ditëve, duke e çuar kështu shifrën në 90 vetëm gjatë muajit tetor e në 2800 bilancin e përgjithshëm që nga fillimi i konfliktit.
Të ndikuar edhe nga këto shifra, me një iniciativë pa precedent, mëse 100 ushtarë amerikanë kanë nënshkruar një peticion drejtuar Kongresit amerikan, të cilit i kërkojnë tërheqjen e trupave nga Iraku. Promovuesit e peticionit, siç shkruan sot gazeta “Uashington Post” kanë ndërmend të mbledhin të paktën 2 mijë firma brenda janarit, kur peticioni do t’u paraqitet deputetëve dhe senatorëve.

Ministria e jashtme pakistaneze ka konfirmuar sot vdekjen e një eksponenti të lartë të Al Kaidës, për të cilin SHBA kishin vendosur një shpërblim prej 5 milion dollarësh. Është egjiptiani Muhsin Matualli Atuah, 42 vjeç, i kërkuar për atentatet e vitit 1998 kundër ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani. Atuah është vrarë në prill gjatë bombardimeve në afërsi me Afganistanin.
Ndërkaq, në këtë të fundit, shënohet sot vrasja e 38 talebanëve në ndeshjet me forcat ndërkombëtare në provincën e Kandaharit.







All the contents on this site are copyrighted ©.