2006-10-24 18:00:29

Kthehet qetësia në Hungari pas ndeshjeve të djeshme: 130 të plagosur. Lajme të tjera nga bota.


(24.10.06 RV) U kthye qetësia sot paradite në Budapest, pas ndeshjeve të djeshme ndërmjet manifestuesve dhe policisë, që vazhduan deri në agim me një bilanc përfundimtar prej 130 të plagosurish dhe 100 arrestimesh. Ashtu si 50 vjet më parë, në vitin 1956, kur tanket sovjetike shuan revoltën antikomuniste hungareze, ashtu edhe dje në përkujtimin e kësaj dite, ndeshje të dhunshme karakterizuan kremtimet. Opozita e djathtë kërkon dorëheqjen e kryeministrit Ferenc Gjyrçani, i cili ka pohuar vetë se i ka gënjyer zgjedhësit për gjendjen ekonomike të vendit, vetëm për të fituar votat.
Papa Gjon Pali II pat qenë dy herë në Hungari, siç kujtoi më 22 tetor në katedralen e Shën Shtjefnit kardinali Angelo Sodano, përfaqësues i Papës Benedikti XVI në kremtime. Në vitin 1993, vetëm tri vjet pas rënies së komunizmit, Gjon Pali II u drejtohej kështu hungarezëve: “Është e vërtetë se përfundoi periudha e totalitarizmit që, në emër të ideologjisë profane të shpëtimit, shtypte fenë dhe besnikërinë e Kishës me masa diktatoriale. Por, aktualisht, vendi juaj ndodhet nën ndikimin e orientimit konsumist dhe kërcënohet nga zhdukja e vlerave tradicionale”. “Ekziston – shtonte Ati i Shenjtë – rreziku i kalimit nga një varësi tek tjetra, që ka prirjen ta pengojë Krishterimin të luajë rolin e vet të pazëvendësueshëm si pjesë integruese e historisë dhe kulturës hungareze”. E përfundonte me fjalët e Shën Palit Apostull: “Mos lejoni që t’ju imponojnë sërish zgjedhën e skllavërisë”.

Gati një vit pas krizës së gazit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, marrëveshja e nënshkruar sot ndërmjet dy vendeve mund t’i sigurojë Evropës një dimër pa probleme ngrohjeje. Sipas marrëveshjes, Kievi do të paguajë 130 dollarë çdo 1000 metër kub gaz, më shumë se vitin e kaluar kur paguante 50 dollarë, por më pak se shifra prej 230 dollarësh që i pat kërkuar Rusia qeverisë së Jushçenkos dhe më pak se 290 dollarët që paguan Gjermania. Kollosi i gazit në Rusi, Gazprom e ndryshoi kërkesën pas ndryshimit të klimës politike në Ukrainë, ku filoatllantikët e Jushçenkos u zëvendësuan me filorusët e Janukoviçit. Vjet, reduktimi i fluksit të gazit për Ukrainën pati pasoja për gjithë Evropën.

Komandanti i forcave amerikane në Irak, gjenerali Xhorxh Kesei deklaroi sot se forcat irakiane duhet të jenë gati për të marrë në dorë kontrollin e territorit brenda 12 ose 18 muajve të ardhshëm. Këto forca kanë pasur rreth 300 martirë në gjirin e tyre, të vrarë në luftimet me rebelët. Ne vend, akoma vazhdojnë ndeshjet ndërmjet popullsive që përfaqësojnë rryma të ndryshme të fesë islamike.

Parlamenti evropian votoi sot një seri masash për azhornimin e Sistemit Informativ Shengen, banka e të dhënave në dispozicion të autoriteteve kompetente të shteteve anëtare. Këto të dhëna janë të konsultueshme tani edhe nga shtetet e reja anëtare. Janë parashikuar të dhëna të reja, që mbajnë parasysh luftën kundër terrorizmit dhe fenomenin e emigracionit.







All the contents on this site are copyrighted ©.