2006-10-24 16:26:25

Kardinali Tarçizio Bertone përuroi në Romë ekspozitën kushtuar 145-vjetorit të gazetës “L’ Osservatore Romano”.


(24.10.2006 RV)“L’Osservatore Romano: nga Roma në botë. 145 vjet histori përmes faqeve të gazetës së Papës” është titulli i eskspozitës, që do të jetë e hapur nga data 25 tetor deri më 10 nëntor në pallatin Valentini në Romë.
Duke e përuruar ekspozitën, kushtuar 145-vjetorit të daljes së numrit të parë të gazetës vatikanase, kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, theksoi se ndjehet fuqimisht nevoja e veprimtarisë dhe e karizmave të laikëve.
Ndjekja e ngjarjeve historike – tha kardinali Bertone - duke sintetizuar veprimtarinë e Gazetës vatikanase, tregon qartë se Kisha, si në të kaluarën, ashtu edhe në të sotmen, për të përhapur mesazhin ungjillor dhe për të promovuar idealet e vërteta të lirisë, të drejtësisë dhe të dashurisë së krishterë, ka nevojë për veprimtarinë, karizmën dhe shpirtin krijues të laikëve. Falë veprimtarisë së besimtarëve laikë dhe punës së tyre të përkushtuar – theksoi akoma kardinali Bertone – “L’Osservatore Romano” mundi të bëjë hapat e para e vijon të ecë ende në rrugën e vet tashmë 145-vjeçare, duke pranuar sfidat kryesore të së djeshmes e të së sotmes: sfidën e paqes, sfidën e mbrojtjes së njerëzve më të ligësht e më të përjashtuar nga radhët e shoqërisë si dhe sfidën e promovimit të kulturës të dialogut. Që nga 1 korriku i vitit 1861 e për 145 vjet me radhë – nënvizoi në vijim Sekretari i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit – ‘L’Osservatore Romano’ ia doli mbanesh të ndjekë veprimtarinë e 11 papëve, duke pasur gjithnjë në qendër të vëmendjes se lindi pikërisht për të mbrojtur papën e Vatikanin në vitet e ndërlikuara të bashkimit të Italisë e në përfundim të shtetit papnor, për t’u bërë më pas gazetë e përhershme e Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.