2006-10-24 16:26:15

Filluan përgatitjet për Sinodin e 2008-tës mbi Fjalën e Zotit.


(24.10.2006 RV) Sekretaria e përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve kremtoi takimin e katërt të Këshillit XI të zakonshëm, në qendër të të cilit ishte tema e Fjalës së Zotit, objekt i Asamblesë së ardhshme të përgjithshme, thirrur nga Benedikti XVI për vitin 2008.
Rizbulimi i Shkrimit Shenjt në teologji, në përshpirtëri, në lectio divina, në leximin privat, në inkulturim, në ekumenizëm; ritheksimi i rëndësisë themelore të Fjalës së Zotit e, prej këndej, risimi i jetës së Kishës, posaçërisht në predikim, katekizëm, teologji, përshpirtëri e në rrugën ekumenike – theksohet sot në një notë të Sallës së Shtypit të Vatikanit - ishin argumentet rreth të cilave diskutuan pjesëmarrësit në takimin e Këshillit XI të zakonshëm të Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që u mbajt më 10 e 11 tetor në Vatikan. Detyra institucionale e Këshillit është të hartojë “Lineamentën”, si dokument reflektimi e këshillimi për Kishën universale, në perspektivë të Asamblesë XII të Përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, shpallur nga Benedikti XVI, që do të mblidhet nga 5 deri më 26 tetor 2008 me temë “Fjala e Zotit në jetën dhe në misionin e Kishës”.
Pasi kujtuan Kushtetutën “Dei Verbum” – “Fjala e Zotit”, ipeshkvijtë nënvizuan rëndësinë që ka për të gjithë besimtarët “Katekizmi i Kishës Katolike”. Dy grupe studimi hartuan dy projekt-skema të “Lineamentës”. Në takimin e ardhshëm, që do të mblidhet më 24 e 25 janar 2007, Këshilli i zakonshëm do të shqyrtojë dhe do të miratojë tekstin përfundimtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.