2006-10-23 16:54:06

T’i jepet rëndësi e dorës së parë jetës shpirtërore - porosia kryesore e Benediktit XVI në Meshën për fillimin e Vitit të ri Akademik për Universitetet Papnore.


(23.10.2006 RV) Meshën, kremtuar sot pasdite në bazilikën e Vatikanit me rastin e fillimit të Vitit të ri Akademik për Universitetet Papnore, e kryesoi kardinali Zenon Groholevski, prefekt i Kongregatës për edukimin katolik.
Në përfundim të liturgjisë, Papa zbriti në Bazilikën e Vatikanit për të përshëndetur përfaqësuesit e 16 Universiteteve Papnore të Romës, të katër fakulteteve të veçanta dhe të Instituteve Papnore të Muzikës kishtare, të Studimeve arabe dhe të Islamistikës.
Duke kujtuar se seminaristët, diakonët, rregulltarët, rregulltaret e laikët e pranishëm vijnë në Romë nga të katër anët e botës katolike, posaçërisht nga vendet e misionit, Papa i porositi t’i japin rëndësi të dorës së parë jetës së tyre shpirtërore, të kujdesen për formimin kulturor, pa harruar edhe edukimin asketik e fetar. Kush dëshiron të jetë mik i Jezusit – theksoi Ati i Shenjtë - duhet të bëhet nxënës besnik i tij dhe ta ushqejë këtë miqësi përmes meditimit dhe lutjes. Thellimi në të vërtetat e krishtera dhe studimi i teologjisë ose i disiplinave të tjera fetare – vijoi Papa – kërkojnë edukimin me heshtjen e kundrimin, sepse duhet të bëheni të aftë të dëgjoni zërin e Zotit që ju flet. Kështu do t’i shmangeni rrezikut të përdorimit të fjalëve të tepërta, që bota i thotë për të fituar miratimin e opinionit të përgjithshëm e do të mësoheni të dialogoni me Atin e Birin e Shpirtin Shenjt, siç patën bërë nxënësit e Krishtit. Kështu u shpreh Ati i Shenjtë dhe në vijim i nxiti të pranishmit t’i luten vetë Zotit:
“Mësues ‘na mëso të lutemi, na mëso të mendojmë, të shkruajmë e të flasim, sepse këto gjëra lidhen ngusht ndërmjet tyre”.
Kështu i porositi Papa studentët e Universiteteve Papnore Romake dhe në përfundim uroi që Shpirti Shenjt t’ua ndrisë zemrat e ta shndërrojë jetën e tyre, duke u prirë në njohjen e vërtetë të Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.