2006-10-22 16:51:36

Sot Kisha kremtoi Ditën Misionare Botërore: intervistë me Atë Bosetin, misionar në një lagje peruviane barakash.


(22.10.2006 RV)Muaji tetor ka dy privilegje: është muaji i Rruzares dhe muaji misionar. Dhe është bërë traditë tashmë që në të dielën e tretë e këtij muaji të kremtohet Dita Misionare Botërore, sivjet kushtuar “Dashurisë së krishterë, si shpirti i misionit”. Në mesazhin e kësaj Dite, Benedikti XVI i kujton të gjithë besimtarëve mandatin e Krishtit. “Ashtu si Ati më dërgoi mua, edhe unë po ju dërgoj juve” – u tha Jezusi i ngjallur nxënësve në Çenakull. Prej këndej mund të pohojmë se Kisha, për vetë natyrën e saj, është misionare e se shpirti i misionit është dashuria – porosit Papa – duke e nxitur çdo të krishterë të jetë misionar i dashurisë atje ku e ka caktuar Provania hyjnore, sepse “Misioni i Kishës, vijim i atij të Krishtit, është: t’u çojë të gjithëve dashurinë e Hyjit, duke e kumtuar me fjalë e me dëshmi konkrete bamirësie”. Prej këndej, besimtarët ftohen të luten për misionet dhe të japin kontributin e tyre në ndihmë të misionarëve dhe të misioneve ndër vendet ku ka ende shumë nevojë. Kujtojmë se Shqipëria vijon të jetë vend misioni e të ndihmohet fuqimisht nga besimtarët katolikë të vendeve më fatlume. Ftuam sot të na flasë për këtë ditë, Atë Anton Bosetin, misionar i Bashkësisë së Vilaregjës, që jeton në Limë të Perusë, në lagjen e barakave.
Pyetje: - Atë Anton, ç’ju shtyu t’i kushtoheni misionit?
Përgjigje: - Fjala e Testamentit të Jezusit: “Që të gjithë të jenë një e bota të besojë!” . Ky është edhe shpirti i impenjimit tonë misionar.
Pyetje: - Cila është veprimtaria juaj konkrete misionare?
Përgjigje: - Normalisht e zhvillojmë veprimtarinë tonë në rrethinat e qyteteve të mëdha, ku jeton pjesa më e varfër e popullsisë. Këtu, përveç punës ungjillëzuese, që është veprimtaria jonë kryesore, përpiqemi të krijojmë strukturat e nevojshme për përmirësimin e jetës së njerëzve, të cilët jetojnë në kushte çnjerëzore. E kam fjalën për ngritjen e qëndrave mjekësore, kulturore, të përgatitjes profesionale, të edukimit të fëmijëve e të strukturave të tjera. Bëjmë gjithçka është e mundur, duke u përpjekur me të gjitha forcat për ta dashur çdo njeri e të gjithë njerëzit, të cilët kanë nevoja të panumërta. Por kryesorja është etja e tyre për të njohur Zotin e gjallë, që është i pranishëm mes tyre. Kanë etje për të vërtetën, për vlerat shpirtërore, për kuptimin e jetës, për të drejtat themelore të njeriut – këta njerëz që nuk kanë shtëpi, as ushqim, as arsim, as punë e as ndihmë shëndetësore. Atëherë ne përpiqeimi, me sa kemi mundësi, t’i mësojmë si ta fitojnë gjithçka u mungon, duke u kujdesur në radhë të parë për përgatitjen kulturore e profesionale të të rinjve, që të mund të gjejnë më pas punë e t’i krijojnë me duart e tyre kushtet e nevojshme për një jetë vërtetë njerëzore, atje ku shtrihet radha pa fund e barakave pa dritë, pa ujë, pa kushtet më fillestare higjienike. Atje përpiqemi të çojmë në radhë të parë dritën e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.