2006-10-22 16:52:01

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar:


(22.10.2006)Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXIX të kohës gjatë vitit kishtar. Përkujtoi edhe Shën Markun nga Jeruzalemi
Nesër, e hënë, do të kremtojë festën e Shën Gjonit nga Kapestrani, meshtar françeskan, pajtor i kapelanëve ushtarakë dhe Shën Severin Boecion, filozof romak e martir, që na kujtojnë se nuk kanë vlerë të mirat që kemi bërë ose veprat që kemi kryer thjeshtë për t’u dukur. Vlerë të vërtetë ka dashuria e heshtur dhe e padukshme për të afërmin, në emër të Zotit.
Të martën do të përkujtohet Shën Anton Maria Klaret, ipeshkëv, themelues i Kongregatës të Bijve të Zemrës së Papërlyer të Marisë. Liturgjia e festës së tij na kujton se vetëm në Zotin mund ta gjejmë paqen e vërtetë të shpirtit.
Shën Krisanthi e Shën Daria, martirë dhe Shën Krispini e Krispiniani, martirë, që do të kremtohen të mërkurën e ardhshme, na kujtojnë se jeta nuk na përket neve. Ne jemi vetëm mbarështues të saj, e kush ta ketë mbarështuar me urti, do të shpërblehet sipas planit të Zotit, që është burim i gëzimit e i shëlbimit.
Të enjten e ardhshme do të përkujtohet Shën Dhimitri, martir. Në festën e tij Kisha na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqën e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.
Në festën e Shën Evaristit papë dhe të Shën Frumencit, apostull i Etiopisë, të premten e ardhshme, liturgjia na kujton se kush e kërkon Zotin, do të shikojë shëlbimin që vjen prej tij.
Të shtunën do të kremtohet festa e Shenjtorëve Simoni e Juda (Tadeu), Apostuj, zëri i të cilëve vijon të përhapet në mbarë botën, për t’u prirë popujve të rinj në rrugën e Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.