Përkujtojmë Imzot Frano Illinë, Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodrës në vitet 1993-
1997, në nëntë vjetorin e vdekjes ( 22 tetor 1997).
(22.10.2006 RV)Imzot Frano Illia
lindi në fshatin Juban, pranë Shkodrës më 21 shkurt 1918. U shugurua meshtar më 18
dhjetor 1943. Shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e rrethina. Më 1967 u arrestua, ndërsa
më 25 prill 1968 u dënua me vdekje. Datë e shënuar në jetën e tij 25 prilli, sepse
pikërisht 25 vjet pas këtij dënimi, shndërruar në burgim të përjetshëm, do të shugurohej
ipeshkëv nga dora e vetë Papës Gjon Pali II. U bë kështu i pari Kryeipeshkëv Metropolit
i pas-diktaturës në Qytetin e veriut, që kishte nxjerrë aq ipeshkvij të mëdhenj. Fitoi
edhe titullin Profesor për punën e tij të palodhur në mbledhjen dhe kodifikimin e
Kanunit të Skëndërbeut, vepër që pa dritën e shtypit shumë vjet pasi ishte përgatitur
për botim. Po ai mbeti gjithnjë meshtari i thjeshtë, dom Franoja, njeriu që ia kushtoi
gjithë jetën elterit e kulturës kombëtare, Fesë e Atdheut. Kërkonte me këmbëngulje
nga katolikët shenjtni e kulturë. Shenjtnisë e kulturës i shërbeu gjithë jetën, duke
kryer me kujdesin më të madh detyrat e tij si meshtar i Krishtit e duke mos e lëshuar
kurrë penën nga dora. La kështu pas një vepër që vijon t'i shërbejë kombit e popullit
të vet. Sot, në nëntëvjetorin e vdekjes së tij, kujtojmë se veprat më të kërkuara
në Panairet e librit fetar, janë ‘Lahuta e Malcís" e Atë Fishtës dhe "Kanuni i Skandërbegut"
i Imzot Illisë. Njeri i dialogut, i paqes dhe i harmonisë, ai la pas edhe shembullin
e punëtorit të palodhur të ekumenizmit, të meshtarit që bashkëpunoi gjithë jetën me
vëllezërit e besimeve të tjera, në emër të bashkimit kombëtar. Figura e tij na
kujton ipeshkvijtë e mëdhenj, ndërmjet të cilëve, Imzot Bumçin. Duke marrë pjesë në
Konferencën e Paqes në Paris, Prelati i madh foli aq me pasion për bashkimin e shqiptarëve,
sa tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Kur doli prej mbledhjes, iu afrua përfaqësuesi
serb i Pashiqit e i tha: "Si nuk ke marre ti, ipeshkëv katolik, me një pëllëmbë kryq
në gjoks, vjen e deklaron këtu para botës se jeni vëllezër me myslimanët, armiqtë
e fesë e të përparimit!?". Duke ecur në gjurmët e kësaj tradite, Imzot Franoja
jo vetëm që nuk pati marre të fliste për vëllazërí të sinqertë, por organizoi personalisht
mbrojtjen e ndërtesave të kultit, duke ftuar klerikët myslimanë të ruanin Kishat e
duke nisur meshtarët e vet në mbrojtje të xhamive të Shkodrës. Ishte një ngjarje e
paparë ndonjë herë në historinë e kombit kjo, që u regjistrua në analet e turbullirave
të 1997-tës. Jetoi me moton, që do të duhej ta bënte të vetën çdo besimtar katolik:
"Edhe sikur të më premtojnë njëqind jetë, asnjenën nuk e due tue mohue fenë". Zërin
e tij e kemi regjistruar shumë herë, në raste festash e trazirash, gëzimesh e hidhërimesh.
Ta dëgjojmë përsëri në këtë përvjetor: