2006-10-22 16:51:51

Në Spanjë e në Gjermani u shpallën të lum Shërbëtorët e Zotit, Margarita Maria Lopez de Maturana dhe Paul Jozef Nardini.


(22.10.2006 RV)Sot në katedralen e Santiagos, në Bilbao të Spanjës, u shpall e lume Shërbëtorja e Zotit, Margarita Maria Lopèz de Maturana, themeluese e Motrave Mercedare Misionare të Berricit.
Kremtimin solemn me ritin e lumnimit e kryesoi kardinali Hose Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet Shenjtorëve.
Ftuam në mikrofonin tonë eproren e përgjithshme të Misionareve të Zojës së Bekuar të Mercedes, motrën Amelia Kavaji të na flasë për jetën e së Lumes së re:
Përgjigje: - Në Bilbao më 25. 07. 1884 lindën dy binjake: Eleonor e Pilar Lopez de Maturana. Pilar hyri në kuvend dhe zgjodhi emrin Margarita Maria. Ishte grua e zgjuar, e ndjeshme, plot përshpirtëri e humanitet. Studioi në kuvendin e Vera Cruz të Berricit, ku Zoti e thirri për jetë rregulltare. 19 vjeçe hyri në kuvendin e klauzurës të Urdhërit të Mercedareve. Atëherë për të nisi jeta thellësisht kundruese, e përqëndruar në misterin e Jezu Krishtit shëlbues. Gjithnjë nën udhëhqjen e Kishës Mëmë, ndjeu dëshirën të ecte në rrugën aktive mercedare, duke e jetuar në mënyrë të re karizmën e duke e vënë gjithë vetveten në shërbim të ungjillëzimit. Nisi veprimtarinë ungjillëzuese si mësuese, duke e shndëruar kuvendin në qëndër misionare, për t’u nisur më pas në rrugët e pafundme të botës, sidomos atje ku duhej çuar Krishti. Shkeli kështu Kinën, Japoninë, Ishujt Mariane e Karoline…
Pyetje: - Ç’i thotë e lumja e re njeriut të kohëve tona?
Përgjigje: - Margherita Maria, përplot me dashuri për Jezu Krishtin Shëlbues, dëshironte që të gjithë ta njihnin Zotin e saj, që të fitonin kështu paqen në tokë e amshimin në qiell.
Një kremtim tjetër me ritin e lumnimit u kryesua në katedralen e Sèjerit, në Gjermani nga kardinali Friedrih Veter, kryeipeshkëv i Munihut, që lartoi në nderimet e elterit Shërbëtorin e Zotit Paul Jozef Nardini.
I lumi Paul lindi më 25 korrik 1822 në Germershaim, qytet i vogël në breg të lumit Ren. Ndoqi që i ri rrugën e meshtarisë, duke iu kushtuar në mënyrë shembullore shërbimit ndaj Zotit e të afërmit: i ndihmoi fëmijët, u shërbeu me dashuri atërore të varfërve e të sëmurëve, e desh me me gjithë zemër Kishën e Zojën e Bekuar, u shqua si rrëfyes e si drejtues i bijave të tij shpirtërore, derisa ndërroi jetë më 27 janar 1862, pas një sëmundjeje të rëndë. Pushon në paqe në kapelën e Shtëpisë për fëmijët e varfër të Françeskaneve të Pirmanens, në dioqezën gjermane të Spirës.
Na fton të gjithëve të rizbulojmë fenë, shpresën e dashurinë e krishterë, me sigurinë se gjithçka të bëjmë në këtë tokë, do të na shpërblehet në qiell.







All the contents on this site are copyrighted ©.