2006-10-21 16:28:58

Papa, duke vizituar Universitetin Lateranens theksoi: e vërteta të përhapet e të mbrohet në një botë të prekur nga kriza e identitetit. Emërtohet me emrin e Benediktit XVI auditori i madh i Universitetit.


(21.10.2006 RV)RealAudioMP3 Kështu sivjet, në hapjen e vitit akademik 2006-2007, viti i 234-t që nga themelimi, Universiteti Papnor Lateranens pati në gjirin e vet mysafirin e shquar, Papën Benedikti XVI. Pa zbritur mirë nga automobili i zbuluar blu në Sheshin e Universitetit të Lateranit, Benedikti XVI iu afrua mikrofonit për të përshëndetur mijëra studentë që kishin dalë për ta pritur. “Jam i lumtur që ndodhem në Universitetin tim, sepse ky është universiteti i ipeshkvit të Romës - tha Papa duke kujtuar dashurinë për Zotin e për librat, që shkojnë krah për krah e janë çuar përpara falë traditës së monakizmit. E di se këtu kërkohet e vërteta, sepse kërkohet Krishti – shtoi Ati i Shenjtë e, në vijim, theksoi me forcë se e gjithë bota ka nevojë për të vërtetën. Krishti është fjala e Fjala sjell të vërtetën e e vërteta është liri. Në këtë rrugë impenjative Universiteti Lateranens luan një rol të dorës së parë për t’i dhënë identitet të thellë jetës personale në një epokë, në të cilën pikërisht identiteti dhe kultura janë në krizë të thellë.
“Të ecësh drejt së vërtetës, të përpiqesh për ta njohur më mirë të vërtetën në të gjitha shprehjet e saj, është vërtetë shërbim themelor kishtar(…) Zoti është Fjala e na flet përmes Shkrimeve Shenjte. E kjo na shtyn t’i lexojmë, t’i studiojmë fjalët e të thellohemi ndër to, duke njohur fjalën e fjalët, edhe dijen tonë mbi Fjalën (…) sepse pikërisht duke e lexuar në udhën drejt së vërtetës, duke e studiuar fjalën për të gjetur Fjalën (e Hyjit), jemi në shërbim të Zotit, në shërbim të të vepruarit për botën, sepse bota ka nevojë për të Vërtetën e Krishtit e se pa të vërtetën nuk ka liri, nuk jemi plotësisht në idenë origjinale të Krijuesit”.
Kështu u shpreh Papa dhe në vijim u drejtua nga hyrja e Universitetit, ku për ta pritur Atin e Shenjtë kishin dalë kancelari, kardinali Kamilo Ruini; rektori, imzot Rino Fizikela dhe Senati Akademik. Për kujtim të vizitës së Papës, mes duartrokitjesh të pandërprera, u zbulua menjëherë një pllakë përkujtimore e, më pas, u përuruan disa lokale të rindërtuara në përfundim të punimeve që janë bërë kohët e fundit për zgjërimin dhe përtëritjen e universitetit.
Pastaj, i shoqëruar nga Kardinali Ruini dhe nga imzot Rino Fizikela, Papa përuroi bibliotekën, kushtuar themeluesit të saj, të Lumit Piu IX, ku ruhen 600 mijë vëllime, ndërmjet të cilave, 22 mijë që i pëkasin shekujve XVI –XVII. Gjatë kësaj vizite në botën mahnitëse të librit, Ati i Shenjtë vërejti: Në këtë kuptim edhe hapja e bibliotekës është rrugë drejt së vërtetës, sepse ne të gjithë jemi në shërbim të Zotit e të Ungjillit. Më pas hyri në auditorin e madh, në sa rektori i Universitetit, imzot Fizikela, njoftonte:
“Senati akademik vendosi njëzëri që ky Auditor i madh t’i kushtohet që sot e në të ardhmen personit tuaj. Ju falënderojmë që pranuat të realizohej kjo dëshirë”.
Fjalimi që mbajti Benedikti XVI në këtë auditor, filloi me citimin e shprehjes “Të jetosh sikur Zoti të mos ekzitonte” që e pati shqiptuar këtu më 13 dhjetor 2004, kur ishte ende kardinal:
“Hyji është e vërteta e fundit drejt së cilës priret arsyeja, e shtyrë nga dëshira për të ecur deri në fund të fundit të rrugës që ka nisur. Zoti nuk është fjalë boshe as hamendje abstrakte; përkundrazi, është themeli mbi të cilin duhet ndërtuar jeta. Të jetosh në botë “veluti si Deus daretur” – “sikur Zoti të mos ekzistonte” do të thotë të të mungojë përgjegjësia e cila të shtyn të kërkosh çdo rrugë të mundshme për t’iu afruar sa më shumë Atij, që është fundi drejt të cilit shkon gjithçka”.
Në vijim Papa i ftoi profesorë e studentë të shfrytëzojnë gjithë aftësitë e tyre teologjike, filozofike e juridike për ta mbrojtur të vërtetën nga interpretimet e kufizuara ose të gabuara:
“Të vesh në qëndër të vëmendjes të vërtetën, nuk është thjeshtë akt spekulativ, me të cilin merret një rreth i ngushtë mendimtarësh; përkundrazi, është çështje jetike për t’i dhënë identitet të thellë jetës vetjake e për të frymëzuar ndjenjën e përgjegjësisë në marrëdhëniet shoqërore. Në të vërtetë, në se hiqet dorë nga kërkimi i së vërtetës dhe nga mundësia konkrete që ka çdo njeri për ta zbuluar, jeta katandiset në një shtjellë hamendjesh, pa referime të qarta”.
Papa, që e pati nisur fjalimin e tij duke vënë theksin mbi lidhjen ndërmjet krizës së kulturës e të identitetit, karakteristikë e kohëve tona dhe pyetjes themelore që vijojnë të bëjnë breznitë e reja mbi kuptimin e jetës së tyre, i la këtë mësim themelor autoriteteve akademike dhe studentëve të Universitetit Papnor Lateranens: “Në një botë të prekur nga kriza e kulturës dhe identitetit, mësimi i së vërtetës që vjen nga Zoti, përmes Fjalës së Krishtit, është rrënja e lirisë për çdo qenie njerëzore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.